Qeveria: Raporti Përcakton Përgjegjësinë Individuale

Në këtë deklaratë, qeveria thotë se ka bashkëpunuar me TFSH gjatë gjithë procesit dhe do të vazhdojë bashkëpunimin deri sa këto hetime të marrin fund.

“Kjo është demonstruar edhe nga miratimi nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për krijimin e një Dhome të veçantë në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës për t’i adresuar këto çështje. Kjo është dëshmia më e mirë se Kosova është shtet ligjor dhe se do të vazhdojë të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshme në bashkëpunim të plotë me partnerët ndërkombëtarë në vazhdim të këtij procesi”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Ekzekutivi kosovar ka thënë se e vlerëson përfundimin e punës së Ambasadorit Williamson, duke e vlerësuar atë si “një hap i rëndësishëm për përcaktimin e mundshëm të përgjegjësisë individuale dhe u jep fund pretendimeve për akuza tjera të padëshmuara”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të mbetet e përkushtuar në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, vazhdimin e procesit të integrimeve Evropiane dhe procesin e anëtarësimit në NATO”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.

Në prezantimin e raportit, Williamson tha se pret themelimin e gjykatës speciale për ta ngritur një aktakuzë ndaj disa drejtuesve të lartë të UÇK-së, ndërsa u shpreh se gjetjet e tij janë kryesisht në përputhje me dyshimet e ngritura nga raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty.