Presidenca Reagon: Priteni Vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Në këtë reagim, kjo zyrë sqaron se “në asnjë moment nuk ka qëndruar indiferente ndaj zhvillimeve që po ndodhin në skenën politike dhe në asnjë mënyrë nuk i ka anashkaluar ato”.

“Në një situatë të polarizimeve të skajshme politike, duke bërë thirrje për qetësi dhe për pjekuri politike të secilës palë, në respektim të votës së qytetarëve të vendit, Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, kërkon zbatim të normave demokratike dhe vetëpërmbajtje nga të gjitha palët si dhe respektim të autonomisë së institucioneve të shtetit”, thuhet në reagim.

Në kohën kur pritet krijimi i institucioneve të reja, Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës thekson se do të vazhdojë pandërprerë që të sigurojë ndërtimin e një proces kredibil, duke garantuar funksionimin demokratik të institucioneve.

“Në demokracitë parlamentare ndërhyrjet e një institucioni në çështjet e institucioneve të tjera konsiderohen shkelje të ndarjes së pushteteve dhe të Kushtetutës, që në çdo rast do të shiheshin si veprime jashtë mandatit dhe kompetencave të Presidentes së vendit”, thuhet në reagim.

“Kuvendi i Kosovës, me deputetët që janë betuar, duhet të gjejë forcën, kurajën dhe guximin për të ndihmuar në radhë të parë vetveten, për ndërtimin e një institucioni jashtëzakonisht të nevojshëm për këtë periudhë kohore, nëpër të cilën po kalon vendi”, ka thënë Zyra e Presidentes së Kosovës.

Sipas Presidencës, proceset e nisura në Gjykatën Kushtetuese, duhet të ndihmojnë në ruajtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë dhe në ndërtimin e një shteti ligjor, dhe vendimet e këtij institucioni të pavarur gjyqësor duhet të respektohen dhezbatohen në plotëni nga të gjithë.