Kujtohet Polici Që Ra për Tërësinë Territoriale

Pas vizitës te familjarët e heroit Enver Zymeri, ministri Bajram Rexhepi dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, kanë bërë homazhe pranë lapidarit të tij dhe kanë inauguruar objektin e  ri në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Enver Zymeri është vrarë në veri të Kosovës kur njësitë speciale të policisë kosovare kishin marrë aksion për të shtrirë kontrollin në dy pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinjë.

Atëherë si rezultat i këtij aksioni forcat e sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare u morën vesh që në këto pika të dërgohen policë e doganierë të Kosovës, të cilët nuk ishin atje që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Rexhepi lavdëroi aksionin e 25 korrikut, ndërsa e quajti Zymerin simbol të trimërisë.

“[Aksioni i 25 korrikut ishte] një veprim shumë i madh në kohën e pasluftës me të cilin definitivisht është shtrirë sovraniteti i Kosovës në tërë tërësinë e vet territoriale. Enver Zymeri është simbol i veprimeve dhe trimërisë së policisë të cilët kanë bërë një punë të madhe”, tha Rexhepi.

Edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, Shpend Maxhuni, vlerësoi lart trimërinë e heroit Enver Zymeri.

“Për ne si Polici e Kosovës çdo herë do të jetë në agjendën tonë jo vetëm përkujtuese, por edhe në shenjë të njohjes së veprës heroike të heroit Enver Zymeri, i cili ra heroikisht me 25 korrik të vitit 2011”, tha Maxhuni.

Rexhepi foli edhe për objektin e përuruar në ditën e shënuar të policisë, pasi preu shiritin e tij.

“Shfrytëzuam rastin që të inaugurojmë këtë objekt të përgjithshëm të policisë ku do të jetë kryesisht i vendosur menaxhmenti i lartë i policisë. Një objekt i mirë i cili ka kushtuar diku rreth 970 mijë euro në sipërfaqe funksionale përmbi 2400 metra katrorë”, tha Rexhepi.

Edhe Egzon Zymeri, vëllai i Enver Zymerit, falënderoi zyrtarët e lartë të policisë për vizitat në familjen e policit të vrarë në detyrë.

“Ne falënderojmë ministrin Rexhepi, drejtorin e përgjithshëm të Policisë Shpend Maxhunin për vizitën që po na bëjnë dhe për respektin po e tregojnë për familjen tonë dhe gjithë popullin e Kosovës për mbështetjen që na kanë dhënë”, shtoi Zymeri.

Enver Zymeri u varros më 27 korrik 2011, ndërsa u shpall Hero i Kosovës nga presidentja Jahjaga që para se të bëhej e para e vendit kishte karrierë policore.