Partitë dhe Kandidatët Shkelën Privatësinë e Qytetarëve Gjatë Fushatës

Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka konstatuar se në rast të mos ofrimit të dëshmive se kandidatët kanë marrë paraprakisht pëlqimin e qytetarëve për sms, atyre do t’u procedohet lënda në gjykatë.

Mbi 300 mijë mesazhe kanë shkuar të qytetarët gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të qershorit, e në të cilën partitë politike PDK, LDK, AKR dhe Vetëvendosje nëpërmjet thirrjeve, sms-ve dhe e-mailave i ftonin qytetarët të votojnë subjektin e tyre dhe kandidatin e caktuar brenda listave përkatëse.

Dy ditë para zgjedhjeve, Gazeta jeta në Kosovë kishte raportuar se kandidatë nga listat e partive të ndryshme politike janë duke shqetësuar qytetarët me sms-ë propagandues.

E njëjta gjë ka ndodhur madje edhe gjatë ditës së zgjedhjeve. Madje në një rast u desh edhe reagimi i policisë dhe prokurorisë për t’i ndërprerë thirrjet telefonike të një kompanie marketingu që i pyeste qytetarët për kë duan të votojnë.

Sipas agjencisë, këto mesazhe duhej të dërgoheshin tek qytetarët nga ora 8 e mëngjesit e deri në orën 8 të mbrëmjes por jo edhe më vonë dhe se është dashur paraprakisht pëlqimi i qytetarëve, gjë që nuk është bërë.

Mentor Hoxhaj, Zëvendës Mbikëqyrës në këtë agjenci, ka thënë se me dërgimin e mesazheve apo marketingut të drejtpërdrejtë, kompanitë si dhe kandidatët kanë thyer privatësinë e qytetarëve.

“Kandidatët për deputetë duhet të dëshmojnë se e kanë marrë pëlqimin e  subjekteve apo qytetarëve paraprakisht për mesazhet e dërguara. Në rast se nuk e bëjnë këtë, ndaj tyre do të hapen procedura gjyqësore”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas tij, në agjenci kanë ardhur gjithsej 77 ankesa në të cilat qytetarët janë ankuar më së shumti në subjektin e PDK-së  dhe në kandidatët të tyre për deputetë për shqetësimet që u kanë ngjallur këto porosi propagandistike zgjedhore.

Kësisoj, për PDK-në kanë ardhur 35 ankesa, dy të tjera për LDK-në,  gjashtë për AKR-në dhe një për Lëvizjen Vetëvendosje. Sipas agjencisë çdo i treti person në Kosovë ka marrë mesazhe nga partitë politike apo kandidatët për deputetë për t’i votuar në zgjedhjet e 8 qershorit.

Përveç mundësisë së procedurave gjyqësore nga Ramiz Kelmendit dhe Qemajl Mustafës së PDK-së si dhe Hajdar Sutajt të AAK-së, dy kompani të tjera do të përballën me drejtësinë.

Ndaj kompanisë “Marketing Online” dhe “Nuk dua sms” do të hapën procedura gjyqësore, pasi Agjencia Shtetërore e të Dhënave Personale do të procedojë lëndët në gjykatë për shkak se kanë shkelur të dhënat personale të qytetarëve.

Këto kompani sipas marrëveshjeve paraprake me operatorët telefonikë është dashur të marrin paraprakisht pëlqimin e qytetarëve për aplikimin e marketingut online, por që nuk e  kanë bërë.

Kompanitë kanë lidhur marrëveshje me tre operatorët telefonik më të mëdhenj në Kosovë, Vala, IPKO dhe Z/Mobile.

Por marrëveshjet me operatorët telefonikë i bëjnë përgjegjëse vetë kompanitë e marketingut për sms-ët e dërguar, pasi operatorët vetëm i kanë shitur produktet të kompanitë në fjalë.

Sipas Mentor Hoxhajt, operatorët ua kishin bërë të qarta fillimisht kompanive detyrat dhe obligimet ligjore, duke i bartur këto përgjegjësi tek ata, por që kompanitë nuk e kanë respektuar këtë.

Sipas tij që në muajin maj, ende pa filluar fushata zgjedhore, ata kishin mbajtur takime me operatorët telefonikë për të diskutuar se si të mbrohen të dhënat personale gjatë fushatës në aplikimin e marketingut të drejtpërdrejtë.

Nga 300 mijë mesazhe që kanë shkuar gjatë kësaj e periudhe tek qytetarët, vetëm 200 qytetarë janë çregjistruar në mënyrë që mos të pranojnë më mesazhe.