Hoxhaj Përsëri Paralajmëron Njohje

Dy ministrat nënshkruan marrëveshje ndërshtetërore bashkëpunimi.

“Aktualisht kam informata që një vend në Afrikë ka marrë vendim në qeveri dhe i ka dorëzuar procedurat në kuvendin e tij dhe së shpejti do të bëhet publike njohja nga ana e këtij vendi”, tha Hoxhaj.

Pa treguar emrin e vendit që ka marrë vendimin për njohje, Hoxhaj përmendi edhe një shtet tjetër që ndodhet afër pranimit të pavarësisë së Kosovës.

“Një vend i dytë po ashtu është në përfundim të procedurave sa i takon njohjes së Republikës së Kosovës dhe unë pres që gjatë verës mund të ketë edhe dy njohje të tjera deri në shtator”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj paralajmërime të tilla për njohje që më vonë doli se u vonuan kishte bërë edhe në shkurt 2014 kur Kosovën e njohu shteti i 106-të-Lesoto.

Atëherë ministri i Jashtëm deklaroi se deri në qershor vendin do ta njohin pesë shtete të reja. Njohja e 107-të pikërisht nga Togoja erdhi vetëm më 3 korrik.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme të Togos Robert Dussey i doli në ndihmë Hoxhajt, kur kryediplomati kosovar foli për njohjet. Dussey premtoi lobim te shtetet afrikane që ende nuk e kanë marrë hapin e njohjes.

“Do të bëjmë të pamundurën dhe do të punojmë me shtetet e tjera të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që të njohin dhe Kosova të jetë e njohur nga shtetet atje”, tha Dussey.

Hoxhaj të hënën se bashku me Dussey-n e Togos nënshkruan tri marrëveshje ndërshtetërore bashkëpunimi.

“Marrëveshja e parë ka të bëjë me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, e dyta me një bashkëpunim bilateral në mes të Kosovës dhe Togos, dhe ne jemi të interesuar mbi të gjitha në fushën e ekonomisë, të tregtisë dhe të arsimit, të ketë shkëmbime në mes të vendeve tona dhe së treti jemi të interesuar që të ketë shkëmbim të studentëve”, tha Hoxhaj.

Sipas Hoxhajt shtetet e vogla vetëm duke ndarë bursa e duke arsimuar të rinjtë mund të ndikojnë në politikën ndërkombëtare.

Dussey ftoi biznesmenët kosovarë të investojnë në Togo.

“Toka e Togos është e hapur për qytetarët tuaj dhe ne do të ju tregojmë që nuk është e vështirë që të fitohet paraja në Togo. Ju them që të gjithëve, ejani në Togo, ejani investoni në Togo, ejani vizitoni Afrikën dhe do të fitoni shumë”, tha ai.