Hyrja e Banesës së Kryetarit të Suharekës Mbushet me Ujë Nga Shiu

Shiu i së martës që ra në Suharekë ka mbushur me ujë hyrjen e banesës ku mes të tjerëve jeton edhe kryetari i kësaj komune Sali Asllanaj.

Banorët e kësaj ndërtese të banimit kolektiv ankohen se kjo nuk është hera e parë që kanë vështirësi për të hyrë e për të dalë në vendin ku jetojnë, sa herë ka reshje.

Sokol Zyrapi, banor në këtë objekt banesor thotë se këtë problem e mban mend që 15 vjet, prejse jeton këtu.

“Ky problem është që 15 vjet i njëjti, nuk ka ndryshime kurrgjë, edhe pse janë munduar me rregullua diçka”, thotë Zyrapi.

Ai tregon se si dalin kur uji depërton te hyrja.

“Sa herë ka të reshura na e kemi problemin e njëjtë, mbushet hyrja krejt me ujë, na duhet ose me dalë me çizme, ose me dalë me qit gurë qashtu qysh pe shihni”, shpjegon Zyrapi.

Banorët për të gjetur zgjidhje të momentit kanë hequr disa kubëza nga oborri i shtruar pranë banesës dhe ato i kanë renditur brenda hyrjes për ta mundësuar kalimin.

“Siç pe shihni edhe vetë nga dy kocka dje jemi detyruar mi vendos, për me be kalimin, ose me dalë në qytet, ose me  hy në banesë”, thotë Zyrapi.

Kryetari i Komunës së Suharekës Sali Asllanaj aktualisht ndodhet në pushim.

Nexhat Ramadani, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës i tha KALLXO.com-it nëpërmjet telefonit se nuk ka njohuri për këtë problem.

“Për këtë problem po dëgjoj tash prej jush, deri sot nuk është ankuar askush për këtë, por do ta dërgojmë një ekip në tërë, për të shikuar problemin në këtë banesë dhe për të bërë zgjidhje”, thotë Ramadani.

Ai tregon se hyrjen e ujit në banesën nuk ku jeton nuk e ka përmendur as kryetari Asllanaj.