Haradinaj Lë të Hapur Komunikimin me “Vetëvendosjen”

Në takimin e së mërkurës, Kryesia dhe Këshilli Drejtues  i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kanë votuar mandatimin e Ramush Haradinajt për të vazhduar me proceduarat e mëtejshme për formimin e qeverisë në përputhje me marrëveshjen e koalicionit LDK-AAK-Nisma.

Këtë e bëri të ditur lideri i AAK para gazetarëve pas përfundimit të takimit.

“Këshilli Drejtues i Alenacës ka dhënë miratim, pra ka votuar mandatimin tim më tutje për procedura të mundshme për formimin e qeverisë së vendit në përputhje me marrëveshjen e koalicionit LDK-AAK-Nisma”, tha Haradinaj.

Haradinaj tregoi se ka njoftuar organet drejtuese të partisë së tij për të gjitha proceset deri këtu, duke përfshirë edhe bisedat me “Vetëvendosjen” dhe komunikimin me minoritetet etnike.

I pyetur se a do të ketë konsulta gjatë ditës më përfaqësues të “Vetëvendosjes”, ai tha se për shkak të përgatitjeve për seancën konstituive të së enjtes, nuk do ketë konsultime.

Nuk i mbylli kanalet e komunikimit me “Vetëvendosjen”, por tha se është vështirë të arrihet marrëveshje deri nesër.

“Sa i përket seancës për nesër vështirë për të menduar së mundemi ndoshta me ndryshu gjendjen, mirëpo ekziston mundësia e komunikimit të mëtejmë për shkak se priten edhe etapa të tjera të ndërtimit të institucioneve. Nesër është vetëm zgjidhja e kryeparlamentarit dhe Kryesisë së Kuvendit”, tha Haradinaj.

Sipas Haradinajt koalicioni i tri subjekteve i ka numrat për të zgjedhur kryeparlamentarin dhe kryesinë.

“Kryeparlamentari është kategori kushtetuese, sikurse janë edhe nënkryetarët dhe është interes i të gjithëve për të votuar. Në besojmë se po”, tha ai.

Haradinaj përjashtoi mundësinë e eskalimit të situatës gjatë mbledhjes konstituive të Kuvendit. Tha se është kryer koha e trimërisë.

“Thirrja e ime në vend është për sjellje demokratike për një kulturë demokratike, ia kemi borxh vendit”, tha ai.

Partia Demokratike e Kosovës si fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit pretendon se asaj i takon posti i kryeparlamentarit, por Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e së shtunës së kaluar ka vendosur që grupi më i madh parlamentar në Kuvend është ai i LDK-së-AAK-së dhe Nismës.

Këtë veprim të kryesisë po të shtunën kreu i PDK-së Hashim Thaçi e cilësoi tentim për ta shkelur Kushtetutën dhe ligjet, duke lëshuar bashkë me zyrtarë të kësaj partie mbledhjen e qeverisë.

47 deputetët e LDK-së, AAK-së dhe Nismës u regjistruan në Kuvend të enjten si grup i përbashkët parlamentar me shkurtesat e subjekteve që përfaqësojnë dhe me kryetar liderin e AAK-së Isa Mustafën.

Haradinaj nuk e komentoi mundësinë e dërgimit të çështjes së zgjedhjes së kryeparlamentarit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

“Unë po mendoj se gjithçka është e gatshme për nesër për një seancë të rregullte në Kuvend, ekziston rendi i ditës, ekzistojnë temat e rendit të ditës me temën e zgjedhjes e kryeparlamentarit”, tha ai.