Prokuroria Gjatë Zgjedhjeve do të Monitorojë Rrjetet Sociale

Koordinatorja nacionale për zgjedhjet Laura Pula tha në një tryezë të organizuar në Qendrën Mediale në Çagllavicë se e diela për prokurorët do të jetë ditë pune, ndërsa përmendi si aleate të drejtpërdrejtë Policinë e Kosovës.

Ajo dërgoi porosi të qartë për manipuluesit e mundshëm të zgjedhjeve.

“Të gjithë ata persona pa hezitim dhe pa ngurrim, do të arrestohen, ndalohen dhe do të kërkohet nga prokurori që të caktojë masën e paraburgimit për ta”, tha Pula.

Sipas Pulës askush nuk do të tolerohet të pengojë të tjerët për të votuar, ose për ta prishur procesin zgjedhor, ndërsa komisionarët janë të obliguar të raportojnë shkeljet te organet e ndjekjes.

“ Të gjithë ata persona që zgjidhen nga KQZ-ja, siç janë komisionarët, anëtarët e KVV-ve, të cilët veprojnë brenda vendvotimeve dhe verifikojnë ndonjë parregullsi të mundshme dhe nuk e raportojnë te policia ne do të mirremi edhe me ta”, tha Pula.

Por këto fjalë të prokurores nuk i dëgjoi asnjë nga përfaqësuesit e subjekteve politike serbe, pasi ata i munguan tryezës për drejtësinë e zgjedhjeve në Kosovë.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, njëri nga organizatorët, nuk kishte dijeni pse mungonin përfaqësuesit e subjekteve serbe.

“Nuk e di pse nuk kanë ardhë, ndoshta janë të zënë me fushatën”, tha Musliu.

Nebojsha Boriqi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës tha se gjykatat do t’i trajtojnë lëndët e keqpërdorimeve zgjedhore me prioritet, ndërsa Xhemajl Peqani nga Sekretariati i KQZ-së tha se është hartuar një plan dhe do të ekzistojë një dhomë operative gjatë zgjedhjeve.

“Dhoma operative do të përcjellë drejtpërsëdrejti procesin e bartjes së materialit sensitiv,

procesin e votimit, numërimit dhe kthimit të kutive”, tha Peqani.

Naim Rexha që në tryezë përfaqësonte Policinë e Kosovës nuk tregoi numrin e policëve që do të angazhohen për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në very.

“Ajo (numri i policëve) është çështje operacionale, por në lokalitet e banuara me shqiptarë kemi nevojë për të shtuar zyrtarët policorë të të njëjtit komunitet”, tha Rexha.