Në Breshërinë e Fushatës, Mbin Fabrika e Kërpudhave e Agim Bahtirit (TV)

Si ide, Fabrika e Kërpudhave, fillimisht ishte hedhur në fushatën e zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar nga tashmë kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, që atëherë garonte për kryetar të komunës.  

Por sot në vlugun e fushatës për zgjedhjet nacionale të 8 qershorit u bë vënia e gurthemelit të saj. 

“Projekti “Hirano Mushroom” është i përqendruar në kultivimin e kërpudhave të cilësisë së lartë “Shitaki”,  ku deri ne vitin 2017 do të prodhohen 1050 tonë kërpudha”, tha përfaqësuesja “Hirano Mushroom”, Argjira Ramosaj. 

Ideja e realizimit të këtij projekti ekonomik fillimisht ishte menduar për Mitrovicën, por në pamundësi që ta sigurojë një tokë për të ndërtuar fabrikën, ai u zhvendos në periferi të Prishtinës.

Kompania pretendon ta nisë prodhimin brenda 90 ditëve.

“Pronarët e tokave luanin me ndjenjat tona dhe të investitorëve, dhe kemi përshtypjen se dikush i ka motivuar ata”, tha Behgjet Pacolli pas vënies së gurthemelit.

Vetë Agim Bahtiri, emra të njohur të AKR-së dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ishin të pranishëm në këtë ceremoni.

Por komuna e Prishtinës thotë se projekti është nisur pa kërkuar dhe marrë leje nga autoritetet lokale.

“Sot dëgjova që B. Pacolli dhe A. Bahtiri paskan vënë gurthemelin e fabrikës së kërpudhave në komunën e Prishtinës. Përderisa ne mirëpresim investime në komunën tonë, duhet të potencojmë që në Komunën e Prishtinës pa leje nuk do të punohet”, ka thënë kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti pak momente pas vënies së gurthemelit.

“Është kohë e fushatës, dhe nuk do të bëjmë fushatë më këtë punë por ju bëjmë thirrje njerëzve që kanë qenë dhe janë në institucione të jenë shembuj më të mirë të respektimit të ligjshmërisë”, u shpreh Ahmeti.

Behgjet Pacolli, ndërkohë, thotë se ka vendosur që tokën t’ua japë donacion investitorëve pasi që e konsideron “mëkat” nëse ky projekt do të shkonte diku tjetër.

“Kjo tokë ishte pronë e familjes time, dhe unë kam vendosur që t’ua jap donacion investitorëve, sepse do të ishte mëkat që kjo fabrikë të shkonte diku tjetër”, tha kryetari i AKR-së.

Sipas tij, në fazën e parë pritet që të punësohen 500 punëtorë, ndërsa në fazën e dytë numri i punëtorëve mendohet të arrijë në 6 mijë. 

Entuziast por njëkohësisht edhe me një lum kritikash drejtuar partisë në pushtet që përkon të jetë partneri i deritanishëm bashkëqeverisës  i AKR-së në qeverinë qendrore, kryetari i Mitrovicës dhe ideatori i ndërtimit të fabrikës, Agim Bahtiri, akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Hashim Thaçi.

“Erdhi ajo ditë qe e kemi pritë shumë. Kam bërë gjithçka që është e mundur për ta nisur në Mitrovicë, por duke parë një gjendje katastrofale që udhëhiqet nga Hashim Thaçi mua nuk mu lejua që këto fabrika të ndërtohen në Mitrovicë”, tha Bahtiri.

“Por kjo nuk do të jeta fabrika e vetme, do të jenë edhe katër fabrika të tjera që do të ndërtohen në Mitrovicë, pas ndërrimit të këtij pushteti të poshtër”, u shpreh ai.

Ndërkohë ishte dega e PDK-së në Mitrovicë që më 20 janar të këtij viti kritikonte Bahtirin se kishte lënë anash fabrikën premtimin e tij të madh duke u marrë me punë tjera.

“E lë mënjanë ‘projektin e famshëm të kërpudhave’, ku do t’i punësonte 6 mijë veta dhe merret me ‘Trepçën”, thuhej në komunikatën e degës së PDK-së në Mitrovicë.

Ndërkaq në pyetjen e gazetarëve se a kishte qenë shkaku i mos arritjes së marrëveshjes me pronarët e tokave distanca  në çmim prej 500 euro, Bahtiri u përgjigj se nj gjë e tillë është “e pavërtetë”.

“Ne për para nuk do ta kishim lënë, por aty ka ndikuar kjo toka e brendshme e PDK-së. Absolutisht ne për para nuk do ta kishim lënë, por nëntoka e PDK-së nuk më la që t’i ndërtoj (fabrikat) në Mitrovicë”, tha ai.

Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, u shpreh se ky moment duhet të jetë një “mesazh për institucionet” që të bëjnë më shumë se sa flitet për ekonominë vendore. 

“Për investitorët e huaj të bëhet më tepër sesa të promovohen dhe pastaj të zhgënjehen, dhe ky moment le të jetë një mesazh i qartë që Kosovës nuk i duhet që investitorët të investojnë në vendet e rajonit por që ata të mbeten në Kosovë”, tha Gërxhaliu.