“Voto dhe Vëzhgo” Njësoj Përsëri

“Si po e shihni jam kah shkoj me votu”, thotë një votuese kosovare në spotin e vizatuar që paralajmëron fushatën “Voto dhe Vëzhgo” të përkrahur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS në partneritet me “Demokracinë në Veprim”, grupimin e organizatave joqeveritare që vëzhgojnë zgjedhjet.

Votuesja e spotit pastaj u bën thirrje atyre që do të dalin në zgjedhje që të mos e kryejnë vetëm obligimin e tyre qytetar, por edhe të raportojnë parregullsi të mundshme.

Një praktikë e tillë është përdorur në zgjedhjet e kaluara lokale të vitit 2013, kur qytetarëve iu ofrua  numri pa pagesë 500 88 ku mund të raportonin me anë të SMS-ve parregullsitë e raportuara zgjedhore.

Numri i njëjtë është në dispozicion të kosovarëve edhe për zgjedhjet e 8 qershorit, njësoj sikurse edhe fushata mediale “Voto dhe Vëzhgo”, spoti i së cilës sipas KFOS-it ka vetëm ndryshime të vogla.

Qëllimi i kësaj fushate është që të sensibilizojë qytetarët për çdo parregullsi që shohin gjatë ditës së votimit, tha drejtori  ekzekutiv i KFOS-it  Luan Shllaku .

Ai e cilësoi të suksesshme fushatën e vitit të kaluar.

 “Në zgjedhjet  e vitit 2013, qytetarët patën rastin të jenë vëzhgues, me ç’rast dërguan plot 12,000 SMS me raportime të parregullsive të procesit zgjedhor “, shpjegoi Shllaku.

Ai “ia la fajin” edhe kësaj fushate për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale, ndërsa ndikimin e saj e mati edhe me përgjigjen masive të qytetarëve.

Edhe “Demokracia në Veprim” përmendi fushatën “Voto dhe Vëzhgo” të hënën, kur përfaqësues të saj folën për parafushatën zgjedhore që po e bëjnë subjektet politike kosovare.

KFOS-i ditën që langoi fushatën “Voto dhe Vëzhgo”, njoftoi se është duke e përgatitur një analizë për qëllimet e reformës zgjedhore në Kosovë.