Opozita Kërkon Përgjegjësi për Dështimet Gjatë Vërshimeve

Deputetë të Partisë Demokratike dhe Partisë së Re kërkuan nga kryetarja e Parlamentit të Serbisë Maja Gojkoviq caktimin e një seance parlamentare për të diskutuar dyshimet për dështim të institucioneve shtetërore dhe lokale për të parandaluar vërshimet shkatërruese që detyruan 31 mijë e 879 persona të largohen nga shtëpitë e tyre.

Dragan Gjilas, lider i Partisë demokratike, më të madhes së opozitës tha që ministrat dhe kryetarët e 39 komunave më të prekura duhet të ftohen në Parlament për t’u pyetur nëse disa nga vërshimet mund të ishin parandaluar.

 “Do të ishte shumë i dobishëm formimi i një komisioni hetimor për të përcaktuar se çka saktësisht ndodhi…Nëse pastaj zbulohet se dikush ishte fajtor, ai duhet të dënohet dhe të largohet nga posti i tij”, tha Gjillas të hënën.

Kërkesa e Gjillasit për një komision hetimor rreth vërshimeve është përkrahur nga Partia e Re.

Lideri i Partisë së Re Zoran Zhivkoviq i bëri thirrje qeverisë të zbulojë emrat e të zhdukurve dhe të vdekurve si rezultat i vërshimeve.

Sipas të dhënave qeveritare 33 persona vdiqën nga vërshimet, derisa numri i të zhdukurve mbetet i panjohur.

Zhivkoviq gjithashtu tha se qeveria ka mundur të parandalojë vërshimet në qytetin Obrenovac, i cili është i tëri nën ujë, pasi lumi Kollubara doli nga shtrati.

 “Vërshimet në Obrenovac kanë mundur të parandalohen. Ne dinim tri ditë përpara vërshimeve që ekziston mundësi e madhe që kjo të ndodhë[dalja e Kollubarës nga shtrati]”, tha Zhivkoviq.

Ai shtoi se qeveria dështoi të veprojë si duhet, derisa vazhdonte evakuimi i njerëzve nga Obrenovaci. “ Pyetja është se kush është fajtor për këtë?”, tha Zhivkoviq.

Nisma për debat gjithashtu u përkrah edhe nga Partia e Bashkuar e Pensionistëve, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës bashkë me Partinë Socialiste dhe Partinë Progresiste.

Zoran Babiq nga Partia Progresiste tha se subjekti i tij nuk do t’u shmanget çshtjeve të përgjegjësisë dhe sipas tij ministrat do t’u përgjigjen të gjitha pyetjeve të shtruara nga grupet parlamentare.

 “Progresistët nuk kanë nevojë t’i frikësohen kësaj”, shtoi Babiq.

Edhe pse qeveria të premten shfuqizoi gjendjen e jashtëzakonshme nacionale të shpallur më 15 maj, ajo mbetet në fuqi në qytete të ndryshme.

Kjo gjendje vazhdon të vlejë për Shabacin, Mitrovicën e Sremit, Krupanj-in, mali Zvornik-un, Koceljevan, Vladimirci-n, Obrenovacin, Ljig-un, Ub-in, Lajkovacin, Osecina-n, Mionica-n, Paraçinin, Svilajnac-in, Smederevska Pallankën, Kosjeric-in, Bajna Bashta-n dhe Sid-in.

Beogradi ende është në rrezik nga vërshimet, por autoritetet pohojnë se kryeqyteti është i përgatitur dhe i sigurt.