Qeveria në Largim Themeloi Fondin e Punësimit

Në mbledhjen e së premtes së Qeverisë së Kosovës ministri i Financave Besim Beqaj propozoi themelimin e Komisionit Ndërqeveritar i cili do të kryejë analizat përkatëse për themelimin e Fondit për Punësim dhe Zhvillim.

Duke e arsyetuar propozimin, Beqaj tha se Komisioni Ndërqeveritar do të analizojë politikat ekonomike dhe praktikat institucionale ligjore për ta krijuar kornizën juridike mbi bazën e secilës do të themelohet dhe do të funksionojë Fondi për Punësim për Zhvillim.

Ky fond ende në fazën fillestare është bërë projekti kryesor i “Misionit të ri” të Hashim Thaçit, në atë që po cilësohet si parafushatë zgjedhore.

Thaçi përmend vazhdimisht se vlera monetare e tij do të jetë 1 miliard e 500 milionë euro, ndërsa buxheti i vendit për vitin 2014 është vetëm për 90 milionë euro më i madhe se ky fond.

“Fondi i Kosovës për Punësim dhe Zhvillim synon të kontribuojë në rritjen ekonomike të Kosovës si dhe krijimin e vendeve të reja të punës përmes përmirësimit të qasjes në financa në kushte të volitshme për të gjithë punëmarrësit e rinj të cilët do të përfaqësojnë ndërmarrje të vogla, të mesme dhe ato të mëdha”, tha ministri Beqaj.

Mjet për të mbetur në pushtet

Por analistë dhe politikanë opozitarë thonë se një vendim të tillë nuk ka të drejtë ta marrë një qeveri në largim.

“Qeveria në largim mund të marrë vendime të cilat janë urgjente, por assesi nuk duhet të marrë vendime te cilat vendosin praktika te reja te punës se ekzekutivit, siç është themelimi i komisioneve ndërministrore”, thotë Agron Demi nga Instittuti GAP.

Edhe Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike konteston vendimin e ekzekutivit.

“Qeveria në largim nuk duhet të marrë vendime strategjike që implikojnë shpenzime të mëdha buxhetore sepse prej ditës kur është bërë shpërbërja e Kuvendit kjo qeveri në fakt duhet të kryejë  vetëm funksionet minimale që ka”, thotë Korenica.

Kuvendi i Kosovës u shpërbë më 7 maj, ndërsa zgjedhjet parlamentare janë caktuar për tetë qershor.

Disa nga ish-deputetët opozitarë vendimin e qeverisë për themelimin e Fondit për Punësim dhe Zhvillim e konsiderojnë të paligjshëm.

“Vendimi i qeverisë bie ndesh me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe atë për Trustin Pensional”, tha ish-deputeti i LDK-së Arben Gashi.

Nënkryetari i AAK-së Ardian Gjini thotë se ky vendim është marrë në mënyrë që Thaçi dhe PDK-ja të mbeten në pushtet.

“Zoti Thaçi dhe Partia Demokratike e Kosovës po përdorin çdo mjet të ligjshëm dhe të paligjshëm, të ndershëm dhe të pandershëm për të mbetur në pushtet”, thotë Ardian Gjini.

Edhe Fisnik Korenica nuk ka dilemë se vendimi lidhet me përfitimet politike.

“Nuk ka diskutim se Fondi për Punësim dhe një vendim i tillë meqë po merret në këtë periudhë  dhe nuk është marrë që shtatë vjet, është thjesht një veprim për përfitime politike”, thotë Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Ardian Gjini mendon se “nuk ka bazë ligjore për qeveritë të cilat janë në largim për të marrë vendime që munden me pasë pasoja për qeveritë e ardhshme”.

Fisnik Korenica mendon se një vendim i tillë i qeverisë në dorëheqje mund t’i shkaktojë probleme një qeverie të ardhshme, por tregon se për këtë nuk ka kufizime ligjore.

“Nuk ka pengesë apo kufizim ligjor sa i përket natyrës së vendimeve-se cilat vendime t’i marrë një qeveri në largim, por nuk është praktikë e mirë për një qeveri të marrë vendime që implikojnë buxhetin”, shpjegon Korenica.