Vriten Disa Ushtarë Ukrainas

Sulmi në një postbllok në rajonin Volnovakha është njëri nga katër të tillët që ndodhën gjatë natës në Ukrainën Lindore.

Sipas BBC-së nuk është e qartë se kush sulmoi ushtarët, pasi një oficer i ushtrisë ukrainase i tha këtij mediumi se sulmi nuk u krye nga separatistët prorusë.

Sulmi ndodhi, tri ditë para se të mbahen zgjedhjet presidenciale në Ukrainë. Pikërisht pas largimit me protesta dhe trazira popullore të presidentit Yanukovych nga pushteti, vendi u zhyt në gjendje edhe më të keqe, pasi Rusia, përkrahësja e Yanukovych-it aneksoi Krimenë në mars.

Në maj regjionet e Donetskut dhe Luhansk-ut vetëshpallën pavarësinë nga Ukraina, ndërsa forcat qeveritare nisën aksion ushtarak për të mbrojtur pjesën lindore të Ukrainës ku ndodhen këto regjione.

Ish-presidenti Yanukovych qeverisi pikërisht Donetskun nga viti 1997 deri në vitin 2002.

Pas sulmit, kryeministri i përkohshëm i Ukrainës kërkoi një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pasi tha që shteti i tij ka fakte për përfshirjen e forcave ruse në sulmin që shkaktoi më së shumti të vrarë deri tash.

Që nga aneksimi i Krimesë, forcat ruse ishin përqendruar në kufi me Ukrainën, ndërsa pas presionit ndërkombëtar, Putini urdhëroi tërheqjen e tyre.

Shefi i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, në një postim të tij në rrjetin Twitter sipas BBC-së tha se aktivitetet e ushtrisë ruse në kufi me Ukrainën mund të jenë indikacione se disa nga këta trupa po tërhiqen.

Të hënën kjo u tha zyrtarisht edhe nga Kremlini. Se mijëra trupa do të kthehen në bazat e tyre, por që kjo do të marrë kohë, raporton CNN-i.

CNN-i citon Ministrinë e Mbrojtjes së Ukrainës të ketë thënë se në sulm u vranë nëntë ushtarë.

Një sulm i ngjashëm, në fillim të majit në rajonin tjetër separatist të Luhansk-ut shkaktoi vdekjen e shtatë ushtarëve të Ukrainës.

Shkrimi është bazuar në raportimet nga BBC e CNN.