Fotografia e Pushtetit të Erdoganit

Me fytyrën e tij të shtrembëruar nga nervozizmi, një njeri i veshur me kostum dhe kravatë shqelmon një protestues i cili po mbahej në tokë nga dy ushtarë.

Yusef Yerkel, një ndihmës i kryeministrit të Turqisë Recep Tayyip Erdogan, është fotografuar duke kryer aktin e dhunës gjatë një vizitë në qytetin Soma, ku ndodhi katastrofa më e madhe e minierave. 

Siç raportojnë mediat turke, ai e ka goditur protestuesin tri apo katër herë, shkruan të mërkurën “The Guardian”.

Fotografitë e Yerkel-it – një ish student doktorature në Universitetin e Londrës për Studime Orientale dhe Afrikane – kanë shkaktuar një përgjigje të tërbuar në rrjetet sociale dhe mund të nxisin protesta kundër qeverisë.

Reagimet e detyruan që të premtojë se një shpjegim rreth incidentit do ta japë përmes një deklaratë gjatë ditës së enjte.

Incidenti ndodhi të mërkurën kur kryeministri Erdogan u prit me shtyrje nga një grup i zemëruar i njerëzve, në kohën kur ai po tentonte të hynte në minier[n ku ndodhi fatkeqësia. 

Në mes të fishkëllimave dhe brohoritjeve, ndihmësit e sigurisë u detyruan që të ndalojnë protestuesit në mënyrë që të lejojnë Erdoganin që të kalojë.

Derisa kryeministri u detyrua të strehohej në një supermarket, demonstruesit goditën makinën e tij dhe sulmuan selinë e partisë së Erdoganit në qytet.

Siç shkruan “The Independent”, dëshmitarët prezentë në këtë akt të dhunës kanë thënë se personi që shihet i mbajtur nga ushtria, është në fakt një i afërm i njërit nga të vdekurit në minierë, edhe pse kjo ende nuk është konfirmuar.

Në anën tjetër, BBC-ja raporton se rreth 3,000 njerëz kanë filluar që të mblidhen në kryeqytetin turk, Ankara, për të marshuar drejt Ministrisë së Punës.  Protestat kanë filluar edhe në Stamboll.

Kjo është dita e dytë e protestave, pas asaj të së mërkurës kur pati përleshje në mes të policisë dhe turmave.

Sipas BBC-së në aksidentin e ndodhur në minierën në Soma, kanë humbur jetën së paku 282 persona.

Shkrimi është bazuar në raportimet nga The Guardian, The Independent dhe BBC.