Gjykohet Arsimtari që Mbushi Gojën e Nxënëses me Letra

Të hënën në Gjykatën Themelore të Prizrenit-dega në Suharekë është mbajtur shqyrtimi kryesor kundër arsimtarit Rifat Gashi që akuzohet për veprën penale keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës.

Ai teksa jepte mësim në shkollën fillore “Migjeni” të Gjinocit në vitin 2011, përdorte metoda ekstreme ndëshkimi për nxënësit që ta mbante qetësinë në klasë.

Sipas aktakuzës Gashi detyroi nxënësin me inicialet A. A., që të qëndrojë kërrusur nën bankë, ndërsa nxënësen A. R. Të mbajë në gojë një letër të bërë shuk gjatë gjithë orës. Këta nxënës atëherë ishin në klasën e pestë.

I dëmtuari A. A., i pranishëm në gjykatë tregoi se si kishte ndodhur ngjarja.

“Ditën kritike kam qenë duke ia treguar detyrat shokut tim, ndërsa në një moment [arsimtari] më ka thënë të qëndroj nën bankë dhe ashtu kam qëndruar diku 35 minuta”, tha A. A.

Ai shtoi se është ndier shumë keq.

“Jam ndier shumë i frikësuar dhe i ofenduar me veprimet e arsimtarit, pasi jam përqeshur nga nxënësit tjerë në këtë shkollë”, vijoi A. A. shpjegimin e tij në gjykatë.

E dëmtuara tjetër A. R. Nuk ndodhej në gjykatore. Ajo në vitin 2011 ishte ankuar për vështirësi frymëmarrje për shkak se kishte letrën në gojë.

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi për këtë rast gati tre vjet më parë. Atëherë arsimtari pranoi se ka vepruar si shkruhet tash në aktakuzë, por u arsyetua se këtë e ka bërë për ta mbajtur disiplinën. http://gazetajnk.com/?cid=1,979,659

Drejtoria e Arsimit në Suharekë, atëkohë arsimtarin Rifat Gashi e transferoi në shkollën “Drita” të fshatit Gelacë.

Në seancë dëshmuan shokët e klasës së të dëmtuarit A. A., A. Sallahu dhe F. Muharremaj. Ata kujtuan atë orë të anglishtes kur sipas tyre arsimtari Rifat Gashi në fillim ia tërhoqi vërejtjen A. A-së, e pastaj e detyroi të qëndronte nën bankë.

Dëhmitarët thanë se u vinte keq teksa shihnin shokun e tyre në atë pozitë.

Avokati Arben Ramadani, mbrojtës i të pandehurit Gashi në fjalën hyrëse propozoi që të bëhet rikualifikimi i veprës penale dhe vepra të kualifikohet sipas kodit penal që është në fuqi, i cili kod për këtë vepër penale është më i favorshëm për të akuzuarin.

Po ashtu i njëjti deklaroi se ndaj klientit të tij nuk qëndrojnë as elementet e veprës penale, pasi Drejtoria e Arsimit ia ka shqiptuar masën disiplinore- ndërrim i vendit të punës.

Nëse shpallet fajtor, ky arsimtar rrezikon të dënohet nga 1 deri në pesë vjet burg.

Seanca e ardhshme do të mbahet me 24 qershor dhe në këtë shqyrtim do të dëgjohen drejtori i Shkollës Fillore “Migjeni” në Gjinoc dhe pedagogu nga Drejtoria e Arsimit në Suharekë.