Shefi i AKI-së i Ik Raportimit në Komision

Drejtori i AKI-së Bashkim Smakaj nuk është paraqitur në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ku do të diskutohej për zhvillimet e fundit në institucionin që ai e drejton.

Anëtarët e komisionit, në mbledhjen e se martës së kaluar u dakorduan që më 2 maj, ta ftonin Bashkim Smakajn në komision për të raportuar lidhur me arrestimin e zyrtarit të AKI-së Isuf Lumit, i cili është arrestuar nga Policia e Kosovës për dyshime të falsifikimit të diplomës së shkollës së mesme.

Për mosardhjen e Smakajt, anëtarët e komisionit ishin shumë kritikë.

“Veprimi i drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës zoti Smakaj për të mos raportuar para komisionit parlamentar mendoj se është një veprim jo i duhur, një veprim  infantil,  i papërgjegjshëm, joinstitucional dhe joligjor”, tha Fadil Demaku i PDK-së, nënkryetar i komisionit.

Edhe anëtari tjetër i komisionit Haxhi Shala kritikoi Smakajn për mosardhje për të raportuar para komisionit.

“Kjo për mua nuk do koment, kështu që për mua është a pajustifikuar mosardhja e tij para komisionit që të raportojë për gjendjen”, tha Shala.

Pak më kritik ndaj drejtorit Smakaj u shfaq Burim Ramadani i AAK-së, i cili në mbledhjen e kaluar kishte kërkuar që para komisionit të thirret edhe kryeministri.

Ai tha se gjatë këtyre tre vjetëve, kemi pasur raportime jashtëzakonisht të shpeshta edhe për tema të ndjeshme, jo vetëm për lëvdata, ka pasur edhe tema të ndjeshme për të cilat ne e kemi pasur takime, madje kemi pasur edhe ballafaqime.

Kurse, pas përfundimit të mbledhjes në një deklaratë për media Ramadani i AAK-së tha se deklaratat ndaj AKI-së, nga partia në pushtet nuk i ndihmojnë aspak këtij institucioni.

“Mos harroni se janë ministrat e partisë në pushtet që nuk shkojnë nëpër mbledhjet e komisioneve përkatëse dhe asnjëherë ata deputetë të partisë në pushtet nuk kanë kërkuar shkarkimin e ministrit, pse nuk ka ardhur në mbledhje të komisionit”, tha Ramadani.

“Nuk besoj që çështje e AKI-së duhet të kthehet në agjendë zgjedhore në asnjëfarë thirrje, e sidomos jo prej partisë në pushtet”, shtoi Ramadani.

Kurse, nënkryetari i komisionit Fadil Demaku akuzoi Ramadanin se po luan rolin e zëdhënësit të Bashkim Smakajt.

“Nga ajo që dëgjova nga zoti Ramadani njëherë m’u mbush mendja që është zëdhënës i zotit Smakaj këtu përpara medieve dhe nuk është mirë që të luhet loja e dyfishtë brenda komisionit të ketë një qëndrim krejt të kundërt kur jemi me dyer të mbyllura, ndërsa para publikut të mbajë një qëndrim tjetër”, tha Demaku.

Demaku shtoi se unë nuk kam kurrfarë favore të ndërsjella me zotin Smakaj në asnjë mënyrë dhe kështu që unë shprehem lirisht.

Bashkim Smakaj nuk u është përgjigjur thirrjeve të shumta telefonike të Gazetës Jeta në Kosovë, bërë gjatë ditës së premte.