Vazhdimi i Vendeve e Rezervuara Rrit Ndikimin e Serbisë në Kosovë

Miratimi i amendamenteve në Kushtetutën e Kosovës të propozuara nga Qeveria e Kosovës me qëllim të themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, mund t’u shkojë për shtati komuniteteve pakicë të përfaqësuara në kuvend, të cilat kanë paralajmëruar se do të kushtëzojnë qeverinë e Kosovës me vazhdimin e vendeve të rezervuara në këmbim të votës së tyre pro FAK-së.

Votimi për ndryshimet kushtetuese pritet të ndodhë më 5 maj.

Sipas nenit 144 të Kushtetutës së Kosovës, çdo ndryshim kushtetues do të kërkojë miratimin e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit, duke përfshirë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Slobodan Petroviq, që është kryetar i Partisë Liberale Serbe , ka përkrahur idenë e vazhdimit të vendeve të rezervuara. Në një intervistë për televizionin publik, ai ka thënë se kjo është në të mirë të Kosovës.

“Kur bëhet fjalë për vendet e rezervuara natyrisht është kërkesë e komuniteteve jo shumicë, por është plotësisht e qartë dhe është në interes të shoqërisë kosovare”, i ka thënë Petroviq RTK-së.

Megjithatë, të njëjtin mendim nuk e kanë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë. 

Leon Malazogu nga organizata D4D, thotë se Kuvendi i Kosovës nuk do të duhej që të votonte për vazhdimin e vendeve të rezervuara për pakicat.

Sipas tij, vazhdimi i vendeve të rezervuara dhe rritja potenciale e numrit të deputetëve të pakicës serbe në kuvend mund të dëmtojë raportet ndëretnike në Kosovë.

“Nëse puna në Kuvend bllokohet dhe për këtë fajësohen serbët te cilët akuzohen si vegël e kryeministrit të Serbisë, kjo ka potencial për të dëmtuar seriozisht raportet ndëretnike dhe të na kthejë në një periudhë ku serbët nuk shihen si komunitet që duhet mbrojtur, por si një rrezik,” thotë ai.

Kurse Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike mendon se vazhdimi i vendeve të rezervuara do të jetë i dëmshëm duke marrë parasysh edhe fuqinë që pritet të ketë Lista Serbe pas zgjedhjeve parlamentare.

Ai thotë se e përkrah idenë që të ketë një parti të fortë serbe në kuvend, por  me kusht që ajo të jetë e  shkëputur nga ndikimi direkt i Beogradit, e që sipas tij, kjo nuk mund të thuhet për Listën Serbe.

“Dalja e saj në zgjedhje do të tregojë që ajo do të jetë forca thuajse e vetme e përfaqësimit të të gjithë serbëve dhe jo vetëm në veri dhe me vendet e rezervuara kjo parti do të bëhet faktor shumë i rëndësishëm në kuvend.  Me këtë rast prezenca e politikave serbe në kuvend do të jetë më e fuqishme se asnjëherë më parë në këto 15 vjet,” ka thënë Korenica.

Ai po ashtu ka tërhequr vërejtjen se dalja përtej Pakos së Ahtisarit me vazhdimin e mandateve të rezervuara për pakica përbën një precedent të rrezikshëm.

“Kjo përben një  precedent te keq për çdo ndryshim kushtetues, meqë këtu lind parimi që sa herë të jetë nevoja për ndonjë ndryshim kushtetues për të funksionalizuar shtetin e Kosovës, çdo herë do të ketë një kundërkërkese”, ka thënë ai.

Në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në nëntor 2013, sipas KQZ-së Lista Serbe ka fituar 21,761 vota, ndërsa SLS-i e Petroviqit 8,284 vota

Edhe dy partitë më të mëdha opozitare në vend janë shprehur se nuk përkrahin vazhdimin e vendeve të rezervuara për pakicat.

Të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Ismet Beqiri i LDK-së dhe Visar Ymeri i “Vetëvendosjes” kanë dalë kategorikë kundër vazhdimit të vendeve të rezervuara të pakicave, ndërsa Adem Grabovci dhe Ardian Gjini kanë dalë pro, duke thënë se dy-tre serbë më shumë në Parlamentin e Kosovës nuk është ndonjë pengesë e madhe në krahasim me dobinë që do të sillte votimi i shndërrimit të FSK-së në FAK.

Sipas Planit të Ahtisaarit, i cili është integruar në Kushtetutën e Kosovës, vendet e rezervuara për pakicat do të vlejnë për dy mandate, ndërsa më pas ato do të shndërrohen në vende të garantuara.

Dallimi mes vendeve të rezervuara dhe garantuara, qëndron në faktin se derisa me të parat, pakicave u garantohen disa mandate deputetësh dhe deputetë shtesë që subjektet e tyre fitojnë nga zgjedhjet, vendet e garantuara nënkuptojnë mbajtjen nga pakicat vetëm të mandateve të dedikuara për to.

Pas përfundimit të mandatit aktual të Kuvendit të Kosovës, sipas kushtetutës vendet e rezervuara do të duhej të shndërroheshin në vende të garantuara.

Neni 148 për Dispozitat Tranzicionale për Kuvendin e Kosovës thotë se vendet e rezervuara për përfaqësim të komuniteteve që nuk janë shumicë ndahen si vijon: dhjetë vende për përfaqësuesit e komunitetit serb të Kosovës dhe dhjetë vende do t’u ndahen komuniteteve të tjera si vijon: komunitetit rom një (1) vend; komunitetit ashkali një (1) vend; komunitetit egjiptian një (1) vend; dhe një (1) vend shtesë do t’i jepet komunitetit rom, ashkali ose egjiptian, i cili ka numrin më të madh të votave të përgjithshme; komunitetit boshnjak tri (3) vende, komunitetit turk dy (2) vende dhe komunitetit goran një (1) vend.

Sipas këtij neni çdo vend i fituar përmes zgjedhjeve, do të jetë vend shtesë, përveç dhjetë (10) vendeve të rezervuara që u ndahen përkatësisht komunitetit serb të Kosovës dhe komuniteteve të tjera.