Skandalet në AKI Shqetësojnë Komisionin (TV)

Arrestimi i shefit të verifikimit në AKI Isuf Lumit nga Policia e Kosovës para pesë ditësh nën dyshimet për falsifikim të diplomës së shkollës së mesme nxiti anëtarët e komisionit për mbikëqyrjen këtij institucioni që ta ftojnë për raportim Bashkim Smakajn, kreun e inteligjencës kosovare.

Smakaj pritet të raportojë para komisionit të premten e 2 majit, bashkë me inspektorin e përgjithshëm Agron Selimajn. Për këtë u pajtuan mbikëqyrësit parlamentarë të AKI-së.

Por këta të dy nuk “ia mbushën syrin” anëtarit të Komisionit nga AAK-ja, Burim Ramadanit.

Ramadani kërkoi që para komisionit për të sqaruar skandalet në AKI të dalë vetë kryeministri Thaçi.

Kur diskutuan për këtë gjë anëtarët e Komisionit larguan gazetarët nga salla e takimit të tyre.

Kur doli nga mbledhja Burim Ramadani tha se u miratuan propozimet e tij që Smakaj, Selimaj e Thaçi të dalin para komisionit për të sqaruar problemet në Agjenci.

“…dhe mbi të gjitha për të mërkurën e ardhshme ne do t’i dërgojmë një ftesë dhe kërkesë kryeministrit që bazuar në nenin 37. 2 të njoftojë, të na raportojë në komision se çka ka bërë gjatë këtyre tri vjetëve.

Të njëjtën gjë e postoi edhe në faqen e tij personale të Facebook-ut.

“Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrje të AKI-së, sipas propozimit tim, vendosi sot (e martë, 29 prill 2014) që të ftojë në raportime të ndara

1. Kryeministrin e Kosovës, z. Hashim Thaçi
2. Drejtorin e AKI-së, z. Bashkim Smakaj
3. Inspektorin e Përgjithsëm, z. Agron Selimaj.

Ftesat për raportimin e tyre do të dërgohen sot menjëherë”, shkroi Ramadani në rrjetin social.

Neni 37 i Ligjit për AKI-në precizon hetimet parlamentare ndaj këtij institucioni me shtatë pikat e tij.

Në pikën pesë të këtij neni thuhet se “komisioni mbikëqyrës parlamentar mund të kërkojë informacion nga kryeministri, drejtori, ose çdo punonjës i AKI-së. Komisioni… mund ta urdhërojë drejtorin e AKI-së të paraqitet para tij”.

Fadil Demaku e demantoi Ramadanin, duke thënë se dalja e Thaçit para komisionit fizikisht nuk mund të ndodhë.

“Ligji nuk e parasheh që të jetë i ftuar direkt kryeministri në mbledhjet e komisionit”, tha Demaku për Gazetën Jeta në Kosovë.

Pika pesë e nenit 37 nuk e parashikon se komisioni mund ta urdhërojë kryeministrin të raportojë para tij.

 “Luftë Polici-AKI”

Burim Ramadani më tutje gjatë fjalës së tij para gazetarëve tha se po ndodh një luftë mes Policisë së Kosovës dhe AKI-së.

“Është tepër e vrejtshme se ka filluar një luftë e hapur midis Policisë së Kosovës dhe AKI-së. Besoj se një luftë e tillë definitivisht i ka rrënjët të verifikimi dhe te disa zyrtarë të lartë të policisë cilët kanë marrë verifikim negativ”, tha Ramadani.

Por Policia e Kosovës nëpërmjet një njoftimi për shtyp të martën raportet me AKI-në i cilësoi shumë të mira.

“Policia e Kosovës si institucion përgjegjës për sigurinë e vendit, vlerëson se kemi një bashkëpunim shumë të mirë dhe profesional me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, gjë që ka kontribuar që të kemi një situatë të sigurt, të qetë dhe stabile”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Edhe para dy javësh, kreu i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Florim Krasniqi nga Lëvizja “Vetëvendosje”, fajësoi një pjesë të policisë, duke e konsideruar të lidhur me krimin.

“Ata janë pothuajse krimi i organizuar në Kosovë, ata bëjnë bartjen e parave, bartjen e drogave, ata janë baza e krimit”, tha Krasniqi për disa pjesëtarë të Njësisë Speciale të Kosovës.

Policia po atë ditë tha për Gazetën Jeta në Kosovë se deklaratat e Krasniqit “nuk qëndrojnë dhe nuk janë të vërteta”.

Por në mbledhjen e së martës së 29 prillit nga anëtarë të komisionit nuk u kursye nga akuzat as AKI-ja.

“E vetmja gjë në AKI që është mirë për t’u lavdëruar është infrastruktura, tjetërsend asgjë nuk kam parë mirë, përderisa ndodhin çdo ditë skandale”, tha Haxhi Shala.

Xhavit Uka i LDK-së njësoj si kolegët e tij të komisionit u pajtua që në AKI “po ndodhin skandale të njëpasnjëshme”.

Skandalet i përmendi edhe deputeti i SLS-së Sreten Ivanoviq. Për to foli edhe Fadil Demaku. Të dy janë nënkryetarë të Komisionit.

“Në dy vjetët e fundit jemi duke parë se në këtë institucion kanë ndodhur jo pak skandale, të cilave ne kemi dashur t’u japim karakter personal të individëve, mirëpo, kur kjo të bëhet si dukuri, atëherë normalisht që i alarmon edhe institucionet tjera”, tha nënkryetari Demaku.