Kryetari i Zagrebit Padit Kryeministrin Kroat

Një vit pas zgjedhjeve lokale në Kroaci, kryebashkiaku i Zagrebit Nikolla Bandiq të mërkurën ngriti padi civile kundër Zoran Milanoviqit, kryeministrit kroat dhe liderit të Partisë Social Demokrate.

Gjatë fushatës zgjedhore, Milanoviqi akuzoi Bandiqin për klientelizëm dhe korrupsion. Bandiq nuk deshi të zbulojë detajet e padisë.

Më herët mediat raportuan se kryebashkiaku, një ish-anëtar i Partisë Social Demokrate është duke kërkuar rreth 40 mijë euro për dëmtim imazhi.

Duke komentuar padinë më 23 prill, Milanoviq tha se ai jeton nga paga e tij, ndërsa pyeti se nga çka jeton Bandiqi, pasi sipas kryeministrit atë “e kanë paditur gjysmën e njerëzve të Zagrebit”.

“Nëse i ka paguar vetëm gjobat gjyqësore për secilin nga këta njerëz të pafat, shtrohet pyetja se ku i ka marrë paratë [për këto pagesa]”, u shfaq i habitur kryeministri Milanoviq.