Tribunali Votohet në Emër të Miqësisë me Amerikën

Shkrimi fillimisht është publikuar më: 23.04.2014

Në seancën e pasdites të Kuvendit të Kosovës u miratua në lexim të dytë Projektligji për ndryshimet dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës.

Këto ndryshime mundësojnë edhe krjimin e gjykatës speciale.

Projektligji kaloi me 78 vota pro, 18 kundër, 2 abstenime, ndërsa gjatë pauzës së paradites ky projektligj u miratua në Komisionin për Legjislacion. për të duhej vetëm shumica e thjeshtë prej 61 votash.

Miratimin në dy lexime brenda ditës e kërkoi deputeti i PDK-së Behar Selimi, i cili në fillim të seancës së të mërkurës propozoi shmangie të procedurës me qëllim që në mbledhje të diskutoheshin dhe votoheshin mandati i EULEX-it dhe krijimi i gjykatës.

“Ne propozojmë që  shqyrtimi i dytë i miratimit të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve për mandatin e misionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Kosovës do të bëhet në seancën plenare të pasditës, më 23 prill 2014”, tha Selimi.

Kryetari i komisionit për Legjislacion Arben Gashi teksa bëri thirrje që Projektligji të votohet, përmendi shtatë amendamente që do ta bëjnë atë më të mirë.

“Këto amendamente përmirësojnë kualitetin e ligjit dhe i rekomandojmë seancës që t’i përkrahin. Ju ftoj që t’i votoni këto amendamente të cilat e kanë pasur konsensusin e të gjithë anëtarëve që ishin prezentë në mbledhje të Komisionit”, tha Gashi.

Anëtarja e këtij komisioni nga “Vetëvendosja”, Albulena Haxhiu, edhe pse tregoi se nuk mori pjesë në mbledhjen e komisionit, e quajti atë farsë.

Përderisa, Komisioni për Legjislacion, nuk do të ketë të drejtën të ndryshojë asnjë dispozitë të këtij projektligji të dëmshëm, prania në këtë mbledhje e bën secilin deputet anëtar të këtij Komisioni, vetëm një vegël të kësaj Qeverie… për t’i çuar përpara projektligjet e dëmshme për institucionet e Kosovës”, tha Haxhiu.

Xheladin Hoxha nga Zyra Ligjore e Kuvendit i tha Gazetës Jeta në Kosovë para pesë ditësh se Projektligji do të ndryshojë disa ligje.

Sipas tij duhet të ndryshohen: Ligji për Prokurorinë Speciale të Kosovës, Ligji për Zgjedhjen e Lëndëve dhe Caktimin e Lëndëve të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve të EULEX-it në Kosovë, Kodi Penal  i Republikës së Kosovës, Ligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Ligji për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, Kodi Doganor dhe i Akcizave të Kosovës.

15:35

Me 89 vota për, 22 kundër dhe 2 abstenime deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit.

Kjo marrëveshje ndërkombëtare u përpilua në bazë të letërkëmbimit të presidentes Jahjaga me shefen për Siguri dhe Politikë të Jashtme të BE-së Catherine Ashton.

Marrëveshja hap rrugën për krijimin e Gjykatës Speciale për hetimin e pretendimeve të Dick Martyt nga Raporti i tij para Këshillit të Evropës në vitin 2010 dhe krimet e mundshme të kryera nga ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Në letrën që Ashton ia ktheu Jahjagës thuhet mes tjerash edhe “Puna e Task-Forcës Speciale Hetuese të EULEX-it (SITF) dhe çdo procedurë juridike që del prej saj do të vazhdojë për aq kohë, derisa Këshilli i Evropës të njoftojë Kosovën që hetimi dhe këto procedura do të përfundojnë”.

Kjo pjesë e deklaratës së Ashton-it merret si bazë për krijimin e gjykatës.

Para votimit u zhvillua debat i gjatë me zëra pro dhe kundër miratimit të marrëveshjes. Votim pro deklaruan partitë në pushtet bashkë me AAK-në e LDK-në, ndërsa kundër thanë se do të votojnë “Vetëvendosja” dhe Lëvizja për Bashkim.

Edhe komunitetet njoftuan se do të votojnë për.

Kryeministri Thaçi votimin për gjykatën e arsyetoi me miqësinë kosovaro-amerikane.

Duhet ta marrim një vendim të tillë dhe duhet ta bëjmë këtë në interes të vendit dhe në interes të gjeneratave të ardhshme dhe kultivimit të marrëdhënieve të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ngadhënjimit të vizionit tonë për të ardhmen evropiane të shtetit tonë”, tha Thaçi, derisa u kërkoi deputetëve ta votojnë marrëveshjen që përfshin brenda edhe tribunalin.

Edhe Adem Grabovci u mbështet te miqtë ndërkombëtarë për votimin e gjykatës.

“Besojmë fuqishëm te partnerët tanë, te Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me të cilët kemi pasur partneritet edhe në kohën e luftës. Nna kanë dhënë një mbështetje të fuqishme, na japin dhe sot”, tha Grabovci.

Kuvendi ose OKB-ja…

Disa nga deputetët që folën në Kuvend gjatë seancës votimin e gjykatës e arsyetuan me opsionin më të mirë të mbetur.

Këtë e tha në emër të LDK-së edhe Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të këtij subjekti.

“Opsioni për forminin e një Tribunali nga Këshilli i Sigurimit është shumë i  keq dhe shumë i dëmshëm për vendin tonë. Konsiderojmë me bindje të plotë se Kuvendi i Kosovës duhet të marrë përgjegjësinë mbi vete dhe të votojë projektligjin në fjalë, gjegjësisht të bëjë ratifikimin e marrëveshjes në mes së Republikës së Kosovës dhe të Bashkimit Evropian”, tha Beqiri.

Mundësinë që gjykata të themelohet nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e përmendi edhe kryeministri Thaçi gjatë fjalimit të tij, ndërsa Ardian Gjini në emër të AAK-së tha se mosvotimi i tribunalit do të ishte dëm i madh.

VV-ja me rezolutë, PDK-ja me fond

Lëvizja “Vetëvendosje” përveç që e kundërshtoi ashpër mundësinë e themelimit të institucionit që do të ndjekë krimet e mundshme të ish-ushtarëve të UÇK-së, propozoi një rezolutë që kundërshton gjykatën.

Pikat e saj i lexoi Visar Ymeri.

Ky subjekt kërkonte nga qeveria që të mos pranojë pa leje nga Kuvendi një gjykatë jashtë sistemit juridik të vendit, teksa u bënte thirrje institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë që së bashku ta kundërshtojnë themelimin.

Kjo rezolutë nuk u nxor në votim.

Deputeti i PDK-së Arsim Bajrami në emër të kësaj partie, propozoi që në pako me votimin për gjykatën të hyjë edhe një fond për të mbrojtur të ndjekurit nga kjo gjykatë. Ai këtë e arsyetoi me faktin e mbrojtjes së luftës së UÇK-së.

Kthimi te historia

Deputetët që ishin kundër votimit, sidomos ata të VV-së, u rikthyen edhe njëherë në kohën e luftës për të argumentuar se pala tjetër duhet të dënohet për të.

Duke përmendur të vrarët gjatë luftës, si dhe viktimat e dhunimit dhe krimeve tjera, Glauk Konjufca tha se shqiptarët është dashur të bënin padi për ato që përjetuan. Për mungesën e padive deputeti i “Vetëvendosjes” fajësoi sistemin kosovar të drejtësisë.

Sipas tij gjykata po themelohet në kohën kur në Rashkë të Serbisë “po zbulohen trupat e 800 shqiptarëve të mbuluar me asfalt”.

Por për historinë e anës tjetër me fjalë të ashpra foli deputetja serbe Vesna Mikiq.

“Me vazhdimin e mandatit të EULEX-itmendojmë se do të dalin para gjyqit të gjithë kriminelët të cilët ishin pjesëtarë të ish-UÇK-së. Ata duhet të dënohen për çdo viktimë të pafajshme serbe, për çdo serbe të dhunuar, për çdo organ të hequr serb, për çdo djegie të shenjtoreve serbe, për çdo pëllëmbë të rrëmbyer të tokës serbe dhe për çdo të dëbuar nga shtëpitë”.

Por Rada Trajkoviq falënderoi deputetët për votimin.

“Këtë votim e kuptova se ky parlament i dominuar nga shqiptarët dëshiron të dijë fatin e qytetarëve të tij të nacionalitetit serb dhe nacionaliteteve tjera, të cilët janë kidnapuar, të cilët janë zhdukur, të cilët janë vrarë”, tha Trajkoviq.

Votimin e përshëndeti edhe ambasada amerikane në Kosovë.

“Votimi i sotëm i Kuvendit të Kosovës ishte një hap vital drejt themelimit të një gjykate të Kosovës që mund të zgjidhë në mënyrë kredibile pohimet serioze nga Raporti i vitit 2010 i Këshillit të Evropës. Kjo gjykatë është thelbësore për të hequr akuzat nga të pafajshmit”, thuhet në deklaratën e ambasadës të lëshuar të mërkurën.

Ambasada sqaroi edhe një herë se gjykata do të merret me individë.

“Ne vlerësojmë vendimin e atyre deputetëve të cilët vërtetuan përkushtimin e tyre për themelimin e një gjykate sipas ligjit të Kosovës dhe e cila do të përqëndrohet strikt në individët dhe në veprimet individuale”, shpjegohet në deklaratë. 

Ambasada thotë se me këtë veprim do të përmbyllet një kapitull i errët i Kosovës.

Seanca e Kuvendit do të vazhdojë pasdite.