Motrat Edukatore Nesër Mbyllin Kopshtet

“Nesër të gjitha institucionet parashkollore të Prishtinës përkatësisht motrat edukatore të cilat punojnë me grup moshat 1 deri në 3 vjet  janë në grevë për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre që nga vitit 2008”, tha Edona Berisha, kryetare e Sindikatës së Kopshteve Parashkollorë të Komunës së Prishtinës.

Kjo kategori të punësuarish profesionalë pagat i marrin nga Komuna e Prishtinës, ndërsa në bazë të Ligjit për Pagat e Nëpunësve Civilë kërkojnë ngritje koeficienti nga 4.8 sa e kanë, në 5.5.

Me koeficientin 4.8 motrat edukatore paguhen 230 euro, ndërsa motrat-mami marrin 215 euro. Nëse ky koeficient ngrihet në 5.5 këto motra do të marrin 285 euro.

Sipas Berishës motrat edukatore edhe pse janë përfshirë në rritjen e pagave të nëpunësve të nivelit profesional me vendim qeverie të 29 gushtit 2008, ato nuk kanë marrë këtë rritje, pasi Komuna e Prishtinës nuk u ka lëshuar mjete shtesë.

Atëherë këto motra paguheshin 144 euro në muaj për punën që bënin.

Kryesindikalistja kërkesën për ndërrim koeficienti e bazon te disa shkresa të shkëmbyera mes Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Administratës Publike për çështjen e pagave të motrave-edukatore.

MAShT-i në një dokument të 13 janarit 2014 alarmon Ministrinë e Administratës Publike se ka laramani pagash dhe koeficientesh në këtë sektor, ndërsa më 24 janar i kërkon MAP-it mendim profesional lidhur me koeficientin që duhet ta kenë të punësuarat si motra edukatore.

MAP-i më 14 mars 2014 rekomandoi koeficientin 5.5 për motrat-edukatore, duke i sugjeruar MAShT-it që kjo të bëhet vetëm në pajtim me buxhetin komunal.

“Atëherë Ministria e Administratës Publike i ka kthyer përgjigjen Ministrisë së Arsimit që motrat edukatore meritojnë koeficientin 5.5, por kjo rritje bëhet vetëm nëse Komuna e Prishtinës ka buxhet të mjaftueshëm për vitin e pagesës”, tha Berisha.

Zeqir Bekolli nga Ministria e Administratës Publike tha për Gazetën jeta në Kosovë se kjo ministri nuk ka të bëjë asgjë me kërkesën e Sindikatës së Kopshteve Parashkollore. 

Edona Berisha tregoi se Komuna e Prishtinës nuk ka para për të paguar pagat e motrave-edukatore sipas koeficientit 5.5.

“Në takimin e fundit që kemi pasur me drejtorin e Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës,  Jusuf Thaçi ka thënë se nuk ka buxhet të mjaftueshëm për rritjen e këtij koeficienti”, thotë Berisha.

Gazeta Jeta në Kosovë e ka pyetur për këtë çështje Jusuf  Thaçin nëpërmjet zëdhënësit Adonis Tahiri. Ai ende nuk ka kthyer përgjigje.

“Ne nuk do t’i hapim kopshtet deri sa të bëhet zgjidhja për motrat-edukatore, është bërë një padrejtësi shumë e madhe te motrat-edukatore që nga viti 2008, vit mas viti, sa herë që është rritur paga e stafit profesional”, shton Berisha.

Ajo shpjegon se për këto veprime kanë edhe përkrahjen e prindërve të fëmijëve për të cilët kujdesen.

Por edhe pse i përkrahë kërkesat e motrave-edukatore, Veton Prekazi,  përfaqësues i prindërve të Institucioneve Parashkollor në Prishtinë nuk dëshiron që gjërat të përkeqësohen.

“Prindërit janë kundër eskalimit të situatës për të mos shkuar deri në grevë, sepse janë fëmijët ata të cilët pësojnë”, thotë ai.

Nezir Gashi, kryetar i Shoqatave Sindikale të Komunës së Prishtinës mendon se motrat edukatore kanë plotësisht të drejtë.

“Këto kërkesa janë plotësisht ligjore dhe duhet të realizohen”, thotë ai.

Aktualisht janë 68 motra edukatore në komunën e Prishtinës dhe afër 1 mijë fëmijë në çerdhet e kryeqytetit.