Protestat Nuk Bindin KEDS-in për Rritje Pagash

Protestat nisën pasi që në fillim të prillit Federata e Sindikatave të Pavarura “Elektrokosova” (FSPE) i dha ultimatum menaxhmentit të KEDS-it që deri më datën 10 prill të përmbushen kërkesat e punëtorëve të kësaj kompanie. 

Kryetari i FSPE-së, Fehmi Pajaziti, tha se kërkesat e tyre mbeten ende të njëjta që nga dita e paralajmërimit të protestave përmes konferencës për media më 3 prill.

“Kërkesa jonë më e rëndësishme është ngritja e pagave.  Ne po ashtu kërkojmë kushte më të mira të punës, respektim të orarit të punës, pagesë për orët shtesë të punuara, e të tjera”, shpjegoi Pajaziti.

Ai paralajmëroi se protestat e punëtorëve do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke paralajmëruar edhe forma tjera më radikale deri në realizim të kërkesave.

“Ne mbesim optimistë se kërkesat tona do të realizohen, por ne kemi edhe forma të tjera të ligjshme të shprehjes së pakënaqësisë siç janë grevat, bojkoti e të tjera.”

Në anën tjetër nga KEDS-i është thënë se kur ZRrE-ja ka aprovuar të hyrat maksimale të lejuara deri në vitin 2017, nuk ka paraparë çfarëdo ngritje pagash.  Në një komunikatë për media, KEDS-i thotë se punëtorët e sektorit të energjisë paguhen mbi mesataren e Kosovës.

“Si pasojë, KEDS-i nuk mund të ngrisë pagat, nëse ZRrE-ja nuk ka paraparë çfarëdo aprovimi për një ngritje të tillë. Për shkak se vendimi është marrë para se KEDS-i ka filluar punën, ne besojmë që arsyetimi i tillë është bazuar në faktin që të gjithë punëtorët në sektorin e energjisë pranojnë paga më të mëdha se paga mesatare në Kosovë”, thuhet në komunikatën e lëshuar të mërkurën.

Më 3 prill kur ishte mbajtur konferenca që paralamëroi protestat e punëtorëve të KEDS-it, Pajaziti ishte ankuar se ZRrE-ja kishte lejuar ngritjen e pagave për punëtorët e KEK-ut dy herë, por jo edhe për punonjësit e distribucionit.

Kryeministri Hashim Thaçi paralajmëroi ngritjen e pagave të punëtorëve të KEK-ut për 120 euro në seancën e Kuvendit të mbajtur më 10 prill.

“Na është thënë nga menaxhmenti se ZRrE-ja nuk lejon ngritje. Atëherë shtrohet pyetja: nëse ZRrE-ja mbikëqyr edhe KEDS-in edhe KEK-un, atëherë si ka mundësi që KEK-u të ketë ngritje të pagave dy herë, kurse për punëtorët e distribucionit janë nda në mëshirë të fatit dhe nuk paska mundësi”, tha kryetari i Sindikatës më 3 prill.

Sipas Pajazitit, protestat do të vazhdojnë më 23 prill.