Rigrupime në Terren Përpara Dialogut

Tre sulmues prorusë janë vrarë natën mes të mërkurës dhe të enjtes, pasi rreth treqind prej tyre po tentonin ta merrnin një bazë ushtarake të trupave ukrainase në qytetin lindor Mariupol të Ukrainës.

BBC-ja raporton se këtë informatë e dha ministri i Punëve të Brendshme të Ukrainës Arsen Avakov, në faqen e tij të Facebook-ut.

Sipas ministrit, 13 pro-rusë të tjerë janë plagosur, ndërsa 63 prej tyre janë arrestuar.

Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, muajin e kaluar, Ukraina po përballet me probleme të tentim-shkëputjes së pjesëve të territorit të saj në lindje.

E ashtuquajtura Republikë Popullore e Donetsk-ut, po ndjek mënyrën e ndarjes së Krimesë, duke paralajmëruar një referendum për 11 maj, derisa sipas CNN-së prorusët kontrollojnë edhe qytetin Sloviansk që gjithashtu ndodhet në lindje.

Baza për të cilën shkroi në Facebook ministri Avakov, u sulmua nga rreth 300 persona. Ministri shkroi se operacioni i përballjes me ta është duke vazhduar të enjten.

Po të enjten është paralajmëruar nisja e dialogut mes Rusisë, Ukrainës, BE-së e ShBA-së në Gjenevë.

CNN thotë se një dialog i tillë do të jetë i vështirë, pasi pritet të nisë me zhvillime të paqarta në terren.

Rrjeti televiziv amerikan krizën në Ukrainë e konsideron më të keqen në relacionin Lindje-Perëndim që nga përfundimi i “Luftës së Ftohtë” në vitin 1989.

Presidenti rus Vladimir Putin, sipas BBC-së paralajmëroi Ukrainën se” po shkon drejt humnerës”, duke u lidhur me zhvillimet në pjesën lindore të këtij shteti.

Në anën tjetër ShBA-të paralajmëruan sanksione shtesë kundër Rusisë. Presidenti Obama këtë e tha të mërkurën.

“E kemi thënë vazhdimisht se sa herë që Rusia ndërmerr hapa të dizajnuar për ta  destabilizuar Ukrainën dhe për ta shkelur sovranitetin e saj, do të ketë pasoja. Ajo që po e shohim sot është një ekonomi më  dobët ruse dhe një kapital që po largohet nga Rusia”, tha Obama për televizionin CBS. 

Në ndërkohë sipas NATO-s përgjatë kufirit ruso-ukrainas, janë vendosur 40 mijë ushtarë të Rusisë. Putini thotë se ata janë aty për ushtrime ushtarake, por Perëndimi nuk beson.

Shkrimi është bazuar në BBC, CNN dhe CBS