I Paqartë i Akuzuari për Vrasje në Rastin e Reshtanit

Enver Kryeziu, pjesëmarrës i rrahjes në Reshtan të Suharekës më 2 gusht të vitit 2012 tregoi në gjykatë atë që tha se e mban mend nga rrahja mes të afërmve.

Atë ditë, djemtë e dy vëllezërve që janë edhe fqinjë, u përleshën ndërmjet vete me mjete të forta, ndërsa si pasojë e kësaj rrahjeje, Burim Kryeziu vdiq pas një jave në spital, ndërsa shumë nga të rrahurit mes vete pësuan lëndime serioze. 

Enver Kryeziu që të vrarin e ka djalë të xhaxhait, tha se raportet mes familjes së tij dhe asaj të xhaxhait kanë qenë shumë të mira, ndërsa sipas tij dajallarët nuk kanë shkuar mirë me xhaxhanë e tij Nuhi Kryeziun, për arsye që ai nuk i dinte. 

Ai tregoi se ka punuar në Itali, ndërsa atje ka qenë bashkë me tre djemtë e xhaxhait, mes tyre edhe me Burim Kryeziun, tash të ndjerë.

Pronat  e dy vëllezërve Kryeziu, Jonuzit e Nuhiut i ndan vetëm një mur, ndërsa në fjalën e tij para gjykatës Enver Kryeziu tha të ketë parë mbi këtë mur djemtë e xhaxhait Nuhi, duke kërcënuar Bajram Shalën, nipin e tyre.

Në seancën e mbajtur të hënën, nipi tjetër i Kryezinjve, Fadil Shala tregoi se ditën kritike ka pranuar një telefonatë që e njoftonte se vëllai i tij Bajrami ishte në rrezik nga djemtë e Nuhi Kryeziut.

Pastaj sipas tij, ai me babanë Izet Shalën ishin nisur drejt shtëpive të dajallarëve.

Enver Kryeziu më tutje tha se sherri kishte nisur mes djemve të xhaxhait dhe nipave, ndërsa shtoi se familja e tij vetëm kishte shikuar zhvillimet e ngjarjes, duke u munduar ta qetësojë situatën.

Ai tregoi ta ketë parë Fadil Shalën duke  e goditur të ndjerin Burim Kryeziu, me një copë druri, ku nga goditja sipas tij ka rënë në tokë i ndjeri.

Për vrasjen në bashkëkryerje të Burim Kryeziut po akuzohen Fadil Shala dhe Jonuz, Enver e Artan Kryeziu.

Deklarata e Enver Kryeziut, e dhënë të mërkurën në gjykatë, dalloi nga ajo që i njëjti e kishte dhënë në prokurori.

Prokurorja Ervehe Gashi disa herë e ballafaqoi Enver Kryeziun me deklaratat e tij të mëhershme, duke nxjerrë përgjigje të paqarta nga i akuzuari. Disa herë gjatë seancës trupi gjykues reagoi duke i kërkuar të akuzuarit qartësim të përgjigjeve.

Seanca tjetër do të mbahet të enjten, ndërsa pritet të merret në pyetje Jonuz Kryeziu.