Kosova dhe Shqipëria Shënojnë Përvjetorin e Eksodit ‘99

Zyrtarë nga Prishtina dhe Tirana u mblodhën të mërkurën në Kukës, qytetin verior të Shqipërisë, për të shënuar eksodin e shqiptarëve nga Kosova në prill 1999, pas sulmeve ajrore të NATO-s në forcat serbe në përpjekje për të ndaluar luftën.

“Eksodi ishte një sfidë e madhe për kombin tonë, të cilën e tejkaluam me sukses duke dëshmuar solidaritet të pakrahasueshëm dhe unitet të fuqishëm kombëtar’ deklaroi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë ceremonisë.

“Duke përkujtuar deportimet masive dhe krimet tjera të kryera nga popullit tonë, ne nuk duam të kultivojmë urrejtjen por duam që këtë të vërtetë historike ta bëjmë të ditur për të gjithë”, tha ai.

Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët së paku 262,000 persona kërkuan strehim në Shqipëri, nga marsi deri në fillim të prillit 1999 dhe ky numër më pas u rrit duke kaluar numrin 400,000.

Shumica e tyre kërkuan strehim në shtëpitë e banorëve lokalë dhe qëndruan aty për disa muaj, derisa iu mundësua kthimi në shtëpitë e tyre në Kosovë.

Derisa po fliste për konfliktin e vitit 1999 dhe të ardhmen e rajonit, kryeministri shqiptar, Edi Rama, tha se “nevojitet më shumë bashkëpunim dhe heqje e shumë pengesave të cilat duken të paimagjinueshme për të arritur paqen’’.

“Jam i bindur që kjo epokë e re do të bëjë që ne të reflektojmë për të ardhmen e rajonit dhe kohën e cila me padurim pret integrimin në Evropën e bashkuar’’, shtoi ai.

Gjatë luftës në Kosovë 1998-99 janë vrarë mijëra njerëz dhe më shumë se 1,700 akoma konsiderohen të pagjetur.