Organizata Humanitare Pro Tribunalit për Kosovën

“Propozimi për themelimin e gjykatës specialë dhe zgjerimin e misionit të BE-së për sundim të ligjit në Kosovë paraqet shansin e Kosovës për të avancuar drejtësinë dhe llogaridhënien individuale për krimet shumë të rënda”, tha Lotte Leicht, drejtoresha e Human Rights Watch për BE-në në një komunikatë për shtyp të lëshuar të premten.

Sipas Leicht, Kuvendi duhet të miratojë zgjerimin e mandatit të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, ashtu siç e do nevoja për të vazhduar hetimet dhe ndjekjet ligjore të krimeve të ndjeshme në Kosovë.

“Kuvendi duhet të votojë pro, të tregojë që sundimin e ligjit e merr seriozisht dhe është i zotuar ndaj abuzimeve të rënda të drejtësisë,” tha ajo.

BIRN-i ka raportuar në fillim të kësaj jave se Ministri i Punëve të Brendshme të Holandës, Frans Timmermans, kishte informuar parlamentin holandez javën e kaluar për kërkesën për asistencën holandeze të nevojshme në momentin kur Task Forca për Hetime Speciale e BE-së,TFHS, të përfundojë hetimet në akuzat për krime të luftës dhe akuzat tjera. Këto gjenden në raportin e përpiluar nga Dick Marty të Këshillit të Evripës të dhjetorit 2010.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës aktualisht janë duke negociuar me Kosovën mandatin për gjykatën e re, për të cilën burimet e BIRN-it brenda BE-së thonë se ajo do të jetë e integruar në sistemin juridik të Kosovës, por me status special.

Por seancat e tribunalit do të mbahen jashtë vendit dhe gjyqtarët, prokurorët e stafi tjetër do të jenë ndërkombëtarë.

Nëse Kuvendi i Kosovës e miraton gjykatën, do të nevojitet miratimi i ligjeve të reja dhe mbase edhe ndryshimi i kushtetutës, për të mundësuar themelimin dhe operimin e dhomave speciale gjyqësore.

Sipas Human Rights Watch-it, përkundër progresit, sistemi i drejtësisë në Kosovë akoma mbetet i brishtë, me siguri jo të duhur për gjyqtarët, stafin e gjykatave, prokurorët dhe palët paditëse.

Mungesa e masave adekuate për mbrojtjen e dëshmitarëve paraqet shqetësim të veçantë që e bën nevojën e një dhome me bazë në BE qenësore, thuhet më tej në komunikatë.

“Themelimi i kësaj gjykate speciale jashtë Kosovës është kritike për integritetin dhe kredibilitetin e procesit”, tha Leicht.

“Duke ditur numrin e kërcënimeve ndaj dëshmitarëve si dhe të vdekjeve të tyre, ka shumë gjasa që çdo kush që ka informata do të ndjehet i pasigurte që të dëshmojë në Kosovë ”, shtoi Leicht

Human Rights Watch gjithashtu i referohet letrën së 17 gjyqtarëve të BE-së, të cilën e posedon BIRN-i, e cila thotë se juristët ndërkombëtarë duhet të kenë rol udhëheqës në rastet e krimeve të luftës, krimit të organizuar dhe rastet e korrupsionit në Kosovë dhe jo që ato kompetenca të kalojnë te gjyqtarët vendorë siç ishte propozuar.

“Kosova ka arritur shumë këto 15 vjet që nga lufta. Por kur gjyqtarët ndërkombëtarë të thonë se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është i gatshëm të menaxhojë rastet e ndjeshme, atëherë Kuvendi i Kosovës duhet t’i dëgjojë ata dhe të veprojë në emër të vullnetit të popullit të Kosovës për të avancuar mbrojtjen dhe drejtësinë”, vazhdoi ajo.

Kryesuesi i delegacionit të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, të premten propozimin për gjykatë speciale e ka përshkruar si mënyrën më të mirë për Kosovën që të lëvizë tej raportit të Martyt.

“Unë jam i vetëdijshëm që shumica druajnë për imazhin e Kosovës me një gjykatë të tillë, por unë do të thosha se qartësimi i këtyre akuzave do të largonte një re të zezë që ka ngulfatur Kosovën. Kjo të mënjanonte argumentet që vazhdojnë të ushqejnë paragjykimin mbi Kosovën”, tha ai.

“Ne e kuptojmë që ky është një vendim i vështirë për Kosovën, dhe Kuvendin e Kosovës. Ai kërkon shumë sinqeritet, guxim dhe besim në sundimin e ligjit dhe drejtësinë”, tha ai.