Kryetari i Parteshit Dyshohet se Rrahu të Miturin

Miodrag Tasiq i tha Gazetës Jeta në Kosovë se djali i tij 17 vjeçar është goditur nga profesori Dragan Nikoliq.

“Djali im dhe disa nxënës tjerë kanë qenë në banjo brenda shkollës dhe profesor Nikoliqi ka kërkuar që të largohen, të dalin në korridor, por nxënësit nuk e kanë dëgjuar meqë nuk ishte profesor i tyre“,  tha Tasiq.

Tasiq thotë se sipas informatave profesor Nikoliqi e ka hapur derën e banjos dhe meqë djali i tij ishte i pari e ka nxjerrë jashtë, duke ia shqyer bluzën.

“Kur e ka gjuajtur në korridor, djali e ka pyetur se çka është puna, e ai(Nikoliqi) i ka thënë ‘hajde këtu të tregoj’ dhe e ka goditur me kokë në hundë”,  thotë Tasiq.

Tasiq thotë se më vonë e ka kontaktuar Dragan Nikoliqi në telefon dhe i ka thënë se nxënësit janë të pasjellshëm dhe po e dëmtojnë inventarin.

“Kam shkuar në shkollë te drejtori, e kam pyetur se a ka dëmtuar diçka djali im, ndërsa ai më ka thënë se nuk ka pas ndonjë lajmërim që dikush ka thyer diçka”,  thotë Tasiq.

Ai thotë se në fillim djalin e ka dërguar në shtëpinë e shëndetit në fshatin Koretishtë, e pastaj në Graçanicë ku sipas tij është konstatuar se ka lëndime të lehta trupore.

Edhe Polica e Kosovës e konfirmoi se në Partesh ka ndodhur një incident.

“Policia pas marrjes së deklaratave nga palët, ka ngritur kallëzim penal ndaj D.N-së”, tha Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit.

Hashani tha se ai dyshohet për veprën penale lëndim i lehtë trupor.

“Me urdhër të prokurorit lënda procedohet në mënyrë rregullt”, tha Hashani.

I kontaktuar nga gazeta, Dragan Nikoliq nuk deshi të deklarohet, sepse siç tha ai është në procedurë para komisionit disiplinor.

Ndaj Dragan Nikoliqit është duke u zhvilluar edhe një gjykim tjetër në Gjykatën e Gjilanit, ku akuzohet për përdorim të paautorizuar të pasurisë së luajtshme që i ishte besuar në detyrë.