Në Qytetin e të Dyshuarit për Sulm Vetëvrasës

Sami Musa, drejtori i shkollës fillore në Varosh, një fshat jo shumë larg Ferizajt, shikon në një fotografi të vjetër në tavolinën e tij. Gjashtë nxënësit në fotografi ka shumë kohë që e kanë kryer këtë shkollë.

“Ja ku është”, thotë ai, duke treguar Blerim Hetën, një të ri me sy të ndritshëm dhe flokë të zeza.

I lindur në Gjermani Heta u shpërngul në Kosovë si fëmijë, kujton drejtori.

“Nuk ka pasur djalë më të mirë se ai, më të edukuar dhe të kulturuar”, thotë Musa.

Por një fotografi shumë ndryshe e Hetës filloi të qarkullojë në vebfaqet islamike në fund të marsit.

Ajo tregon një njeri me shikim të fuqishëm dhe mjekër të dendur. I identifikuar si Abu Al Khabab Kosovo, atij i atribuohet kryerja e sulmit vetëvrasës në Bagdad më 25 mars në të cilin u vranë dhjetëra njerëz të pafajshëm.

As vdekja e Hetës dhe as roli i tij në sulmin me bombë nuk janë konfirmuar zyrtarisht. Por familja e tij që nuk dëshiroi të flasë për Prishtina Insight mbajti zi (hapi të pame) për vdekjen e tij.

Në ndërkohë ferizajasit po përballen me lajmin tronditës. “Ku ishin këta njerëz kur Kosova luftonte me Serbinë”, çuditet Ekrem Shabani, një avokat nga Ferizaj.

Qyteti i Ferizajt ka lidhje të ngushta me bazën e afërme amerikanë-kampin Bondsteel. Shumë kosovarë punuan aty e punojnë aty dhe disa prej tyre kanë shkuar për punë edhe në kampet amerikane në Irak dhe Afganistan.

Por qyteti, si vendbanimet tjera kosovare po përjeton një rritje të islamit të vijës së ashpër. Banorë lokalë është e njohur se luftojnë në radhët e rebelëve ekstremistë sunitë në Siri, pavarësisht thirrjeve të hoxhë Shefqet Krasniqit, imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë që të mos e bëjnë këtë.

Sipas raporteve të medieve Heta iu bashkua luftimeve në Siri gushtin e vitit të kaluar.

Në qendrën e qytetit të Ferizajt, të premten, besimtarët shiheshin duke shkuar drejt Xhamisë së Vogël për lutjen kryesore të javës. Kjo xhami njihet si vend që tërheq myslimanët konservativë.

Sevdaim Haxhiu, imam në 21 vjetët e fundit, thotë se aktet terroriste janë kundër islamit, por pranon se nuk e ka përmendur vdekjen e Hetës në asnjë nga predikimet e tij. “Pse ta përmend atë?” pyet imami.

Laurandi, një banor i qytetit ndihet i brengosur me rritjen e numrit të atyre që praktikojnë islamin e vijës së ashpër.

Duke treguar fotografinë e publikuar në Facebook të një personi të cilin ai e njeh, ndërsa i fotografuari është me veshje ushtarake dhe armë automatike, Laurandi thotë se ky njeri ishte krejt i zakonshëm dhe shkonte nëpër ndeja.

“Tash ai është duke luftuar në Siri, Afganistan,… nuk e di ku”, shton ai.