Ish Gjykatësi Akuzohet Se Mashtroi Komshiun Për 77 Mijë Euro (TV)

Zeqiri, si jurist ka përfaqësuar gjatë viteve 2007 – 2012  në Gjykatën e Lipjanit familjen Avdullahu përballë një kompanie të sigurimeve në rastin e një aksidenti ku djali i Avdullah Avdullahut ishte goditur nga një veturë dhe kishte pësuar lëndime të rënda.

Sipas padisë, Gjykata e Lipjanit kishte aprovuar kompensimin prej 117 mijë eurosh për familjen Avdullahu, ndërsa Nebih Zeqiri ua kishte dhënë atyre vetëm 40 mijë, duke e ndalur pjesën tjetër për vete.

I pandehuri Zeqiri nuk pranoj fajësinë për këtë vepër, ndërsa avokati i tij kërkoi nga Gjykata që akuza të hidhet poshtë sepse nuk është ngritur në afat kohor.

Avokatja e palës së dëmtuar Labinota Qosa i tha Gazetës Jeta në Kosovë se klienti i saj është dëmtuar në besim, që ka pasur ndaj komshiut.

“Në cilësinë e paditësit subsidiar pala ime ka paraqitur aktakuzë sepse është i dëmtuar me një shumë afër 80.000 euro, ku është shfrytëzuar si pasojë e mosaftësisë së tyre, ndaj një bashkëfshatari, apo kojshisë së parë”, tha avokatja Qosa.

Në këtë rast Nehih Zeqiri i cili  ka qenë edhe ish-gjyqtar në Gjykatën për Kundërvajtje në Lipjan, paditet për mashtrim dhe keqpërdorim të besimit.

Seanca e radhës u shty në afat të pacaktuar.