Keqmenaxhim i Resurseve të Ujit në Kosovë

Përveç resurseve jo shumë të mëdha ujore që ka Kosova, Shpejtim Bulliqi, profesor në Fakultetin e Shkencave Natyrore, tha se nuk është punuar shumë në menaxhimin më të mirë të këtyre resurseve të ujit.

Sipas tij, Kosova me resurset që ka është vetëm një shkallë mbi vendet të cilat kanë problem me ujë, andaj paraqitet nevoja e akumulimit të ujit, sepse siç tha Bulliqi, akumulacionet e tashme janë të pamjaftueshme.

Në anën tjetër, Sylejman Daka, njohës i çështjeve hidroteknike, tha se në vitet e pasluftës nuk është punuar fare për të përmirësuar dhe mbrojtur resurset ujore.

Ai ka paraqitur fotografi të shumta ku janë parë gypa të amortizuar të cilët sipas tij janë të dëmshëm dhe po ashtu humbin shumë ujë në kanale.

“Është e kotë të mbushësh liqenet kur kemi gypa të amortizuar, sepse uji prapë humb”, tha ai, duke iu referuar situatës së krijuar në Prishtinë, ku liqenet e tharë të Batllavës dhe Badocit janë duke u mbushur me ujë nga liqene të tjera.

Arban Berisha, profesor i hidroteknikës, la përgjegjëse institucionet e vendit për gjendjen e keqe të ujit në Kosovë.

Pamje të Badovcit | Foto: Denis Sllovinja

Sipas tij, institucionet nuk kanë pasur vizion dhe strategji adekuate deri më tani për të menaxhuar më mirë me resurset ujore të Kosovës.

Në këtë ngjarje u paraqitën dhe teknologji inovative që bëjnë trajtimin efikas të ujërave të zeza në mënyrë që të bëhet kursimi dhe shfrytëzimi më efikas i ujit.

Avni Hajrullahi dhe Enis Spanca, të cilët paraqiten këto teknologji, shpjeguan se me përdorimin e këtyre pajisjeve mund të bëhet edhe ruajtja ekologjike, sepse njeriu në këtë mënyrë ka më shumë ujë për të shfrytëzuar për ujitje të hapësirave të gjelbra me një kosto më të ulët.

Dita Botërore e Ujit shënohet që nga 22 marsi i 1993, e caktuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Sipas veb faqes water.org, 3.4 milionë njerëz vdesin çdo vit për shkak të sëmundjeve të lidhura me ujin dhe 780 milion njerëz nuk kanë qasje të drejtpërdrejtë në ujë të pastër.