NATO-n e Brengosin Ushtarët Rusë në Kufi me Ukrainën

Komandanti i forcave të NATO-s për Evropë, gjenerali Philip Breedlove tha se aleanca është posaçërisht e brengosur rreth kërcënimeve për rajonin Trans Dniester të Moldavisë.

Ky rajon ndodhet në kufirin mes Moldavisë e Ukrainës, jo shumë larg Detit të Zi. Sipas regjistrimit të vitit 2005 në Trans Dniester mbi 32 për qind të banorëve janë moldavë, 30 për qind rusë, e 29 për qind ukrainas.

Rusia tha se forcat e saj në lindje të Ukrainës janë në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare.

Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës Andriy Deshchytsia paralajmëroi se rreziku i lufttës me Rusinë po rritet.

“Problemi është me [Vladimir Putin-in] i cili nuk dëshiron të bisedojë jo vetëm me qeverinë ukrainase, por as me liderët perëndimorë”, i tha Deshchytsia BBC-së.

“Dhe kjo është shumë e rrezikshme për procesin e vendimmarrjes. Ne vetëm mund të presim që ai të pushtojë”.

Në ndërkohë zëvendëssekretari për Siguri Nacionale i ShBA-ve Tony Blinken tha që Washingtoni do ta shqyrtojë çdo kërkesë që Ukraina mund ta bëjë për ndihmë.

“Kur të vijë puna për ndihmë ushtarake, ne do ta shikojmë atë”, deklaroi Blinken për CNN.

Por shtoi se “edhe nëse ndihma [amerikane] i shkon Ukrainës, ajo ka pak gjasa të ndryshojë kalkulimet e Rusisë ose të parandalojë ndonjë invazion”.

Presidenti Barack Obama përjashtoi më herët dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë.

Rusia aneksoi Krimenë, pasi shumica e popullatës ruse të gadishullit mbajti një referendum në të cilin mbështeti bashkimin me Rusinë. Krimeja ka 60 për qind rusë, 20 për qind ukrainas dhe 20 për qind tartarë.

Kievi dhe Perëndimi referendumin e cilësuan të paligjshëm.

Flamujt rusë janë ngritur në 189 njësi dhe objekte ushtarake të Ukrainës në Krime, njoftoi agjencia ruse e lajmeve Interfax.

Ambasadori rus në BE, Vladimir Chizhov i tha BBC-së se “ribashkimi” nuk ishte parapërgatitur, por i dha fund një abnormaliteti që zgjati 60 vjet.

Ai shtoi se Moska nuk ka “pikëpamje ekspansioniste” dhe se “askush nuk duhet t’i frikësohet Rusisë”.

Por paralajmëroi se nëse Amerika  i dërgon trupa ose ndihmë ushtarake Ukrainës do të bënte gabim të madh.

Të dielën shefi i Këshillit Kombëtar të Mbrojtjes dhe Sigurisë së Ukrainës Andriy Parubiy tha se “qëllimi i Putin-it nuk është Krimeja, por e gjithë Ukraina. Trupat e grumbulluar në kufi janë të gatshëm të sulmojnë në çdo moment”.

Të njëjtën e tha edhe gjenerali i NATO-s Breedlove në një ngjarje të zhvilluar në Gjermani.

“Forcat ruse të vendosura në kufirin lindor me Ukrainën janë shumë, shumë të konsiderueshme dhe shumë, shumë të gatshme”, tha Breedlove.

Shkrimi është bazuar në raportimet nga BBC dhe CNN.