Familjarët e të Pagjeturve Bojkotojnë Billbordin e Qeverisë

Familjarët që iu bashkuan bojkotit, kanë deklaruar për BIRN-in se shfaqja digjitale, iniciativë kjo e ndërmarrë nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur të Kosovës, është një zëvendësim joadekuat për një memorial të veçantë, i cili u ishte premtuar fillimisht familjarëve.

Billbordi elektronik ishte instaluar nga autoritetet e qytetit para ndërtesës së qeverisë dhe kuvendit, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur më 30 gusht vitin e kaluar, por shumë familje vazhdojnë ta refuzojnë dhe të mos i dorëzojnë fotografitë e të afërmve që ato të shfaqen.

“Ne nuk i dërguam fotot te Komisioni për Persona të Pagjetur ,sepse billbordi elektronik është diskriminues dhe duket sikur një reklamë. Ne nuk do t’i fyejmë të dashurit tanë duke vënë fotot e tyre aty”, thotë Nesrete Kumnova, kryetare e “Thirrjes së Nënave” në qytetin e Gjakovës.

Djali i Kumnovës nuk është parë më që nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë.

Në vend të kësaj, Kumnova dhe disa anëtarë të shoqatës së saj kanë ngjitur fotografitë e të afërmve të tyre të pagjetur në rrethojat e oborrit të Kuvendit, mu nën billbordin elektronik që u vendos të shtunën e kaluar.

Billbordi përveç për të shfaqur fotot e të pagjeturve, ishte menduar edhe si zëvendësim i vendosjes së këtyre fotografive në rrethojat e oborrit të Kuvendit të Kosovës.

Por Prenk Gjetaj, kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur tha se shumë familjarë nuk po e mbështesin këtë bojkot.

“Deri tani kemi rreth 200 foto. Të afërmit e të pagjeturve apo shoqatat për persona të pagjetur nuk i dërguan të gjitha fotot që ne i kërkuam”, tha Gjetaj.

Ai këmbëngul që billbordi do të funksionojë shpejt, ashtu siç ishte planifikuar. Aktualisht shfaq vetëm tekstin: “30 Gushti – Dita Ndërkombëtare e të Pagjeturve.”

“Ne duam të shfaqim fotot që i kemi shumë shpejt dhe për ata për të cilët fotot do të mungojnë ne do të shfaqim nga një trëndafil të kuq”, tha Gjetaj.

Fotografitë e të pagjeturve nga Kosova fillimisht ishin vendosur jashtë kuvendit, kur institucioni u themelua pas përfundimit të luftës 1998-99.

Por fotografitë u hoqën në prill 2012 pasi familjarëve u ishte premtuar se do të ngrihet një monument i denjë për këtë qëllim.

Por monumenti i projektuar nuk u ndërtua asnjëherë.

“Ne na kishin premtuar ngritjen një monumenti të dinjitetshëm, por nuk e mbajtën premtimin ”, tha Kumnova.

Dizajni i memorialit që ishte premtuar të ndërtohej