Opozita Kundër Kushtëzimit të FAK-ut me Vendet e Rezervuara

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, paralajmërimin e Milorad Drecun-it, kryetarit të Këshillit për Kosovën në Parlamentin e Serbisë se fqinji verior do t’i mbajë zgjedhjet  e tij të përgjithshme edhe në Kosovë, e shohin si të papranueshëm.

“Kish me qenë absurde për të dëgjur  dikënd duke thënë se hapja e vendvotimeve për zgjedhje për Parlamentin e Serbisë në Kosovë nuk është shkelje e sovranitetit”, tha Ardin Gjini i AAK-së pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të hënën.

Nëse çohet edhe gjithë bota dhe thotë se nuk është shkelje, rritet absurdi me ato fjalë, shtoi Gjini.

Deputeti Ismet Beqiri i LDK-së tha së mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë është e papranueshme, por ai u shfaq kritik ndaj qeverisë që sipas tij po del me deklarime kontradiktore.

Visar Ymeri i Vetëvendosjes tha se kjo është një ndërhyrje dhe një lloj tendence e ushtrimit të sovranitetit të Kosovës nga Serbia.

Por, ai tha se është Qeveria ajo qe duhet të ndalojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

“Do të kishte me qenë e domosdoshme nga qeveria e Kosovës që të merren të gjitha masat që i ka në dispozicion për të parandaluar një gjë të tillë”, shtoi Ymeri

Deputetja Myzeine Selmani tha se mbajta e zgjedhjeve serbe në Kosovë paraqet problem, por sipas saj problemi është që Serbia ende nuk e ka një zyrë ndërlidhëse në Kosovë ku do të mund të votonin serbët.

“Serbia duhet të marrë hapin e vet që ta hapë zyrën e saj në Kosovë për arsye se ka një pjesë të qytetarëve të vet të cilët kanë dy nënshtetësi”, tha Selmani.

Kryeministrat Thaçi e Daçiq në Bruksel më 4 dhjetor 2012 u morën vesh që dy shtetet të hapin zyrat e tyre ndërlidhëse në kryeqytetet përkatëse.

Në qershorin  e vitit të kaluar këto zyra që ndodhen në objektet e BE-së së të dy vendeve nisën punën, por do të shërbejnë kryesisht vetëm për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit 2013 të mbërritur në Bruksel

Kushtëzimi i deputetëve të komuniteteve për ndryshimin e kushtetutës

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit kundërshtuan edhe kushtëzimin e deputetëve të komuniteteve të Forcave të Armatosura të Kosovës me vendet e rezervuara në Kuvend.

Deputetët e komuniteteve dëshirojnë vazhdimin e vendeve të rezervuara edhe për dy mandate parlamentare, edhe pse Pakoja e Ahtisarit e integruar në Kushtetutën e Kosovës garanton vetëm dy mandate të tilla.

Që komunitetet të fitojnë vendet e rezervuara edhe për tetë vjet, duhet ndryshuar kushtetuta. Kushtetuta duhet të ndërrojë edhe për ta shndërruar FSK-në në FAK, një vendim që Qeveria e Kosovës e mori më 4 mars.

Krijimi i Forcave të Armatosura duhet të miratohet edhe nga deputetët e komuniteteve.

Neni 144 i kushtetutës së Kosovës përcakton se si mund të bëhet ndryshimi kushtetues.

“Çdo ndryshim do të kërkojë miratimin e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit, duke përfshirë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Kosovës”, thuhet në paragrafin 2 të nenit që tregon mënyrën e ndryshimit të Kushtetutës së vendit.
 
Deputeti Ismet Beqiri tha se LDK-ja do të votojë kundër këtij kushti.

“Në asnjë rrethanë LDK-ja nuk do të pranon kushtëzimin që kjo eventualisht të kalojë, në mënyrë që pastaj, siç kemi parë në opinion të votohet për vendet e rezervuara”, tha ai.

Për VisarYmerin e Vetëvendsosjes çështja e vendeve të rezervuara dhe shndërrimi i FSK-së në FAK, janë të ndara dhe sipas tij nuk kanë asnjë lidhje njëra me tjetrën.

“Shëndërrimi ose ndërtimi i kapaciteteve mbrojtëse për Republikën e Kosovës është domosdoshmëri e ushtrimit të sovranitetit, ndërkohë që vazhdimi i vendeve të rezervuara nënkupton të shkelet drejtpërdrejt edhe ideja e  republikës edhe sovranitetit në këtë republikë”, tha Ymeri.

Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi tha se komunitetet kanë të drejtë të bllokojnë vendimet për ndryshimet kushtetuese që bien ndesh me dokumentin gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari, por kur gjithçka është konform tij, nuk e kanë atë të drejtë.

Edhe Ardian Gjini tha se nuk duhet të ketë kushte për ndryshime kushtetuese.

Kurse, Adem Grabovci i PDK-së deklaroi se të gjitha vendimet duhet të merren në interes të Kosovës.

Në seancën e Kuvendit të Kosovë, të enjten , ndër projektligjet që do të shqyrtohen do të jenë edhe Projektligji për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Projektligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit.