Mashtrim në Emër të Projektit Humanitar (TV)

Ardiana Gorani, akuzohet se ka mashtruar një qytetar të Ferizajt, duke i marrë material ndërtimor në emër të një projekti humanitar të quajtur “Duam dhe mundemi së bashku”. Sherif Gashi ngarkohet se ka pranuar këtë material, edhe pse e ka ditur se është përfituar nga vepra penale e mashtrimit.

Sipas akuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Ardiana Gorani nga muaji gusht deri në dhjetor të vitit 2011 me qëllim që vetes t’i sjellë dobi dobi pasurore, ka mashtruar Rrahim Kashtanjevën nga Ferizaj që t’i japë material ndërtimor në vlerë prej 153 mijë eurosh në emër të projektit humanitar.

Sipas prokurorisë, i akuzuari i dytë Sherif Gashi nga muaji shtator 2011 deri në dhjetor 2011 ka marrë këtë material nga Ardiana Gorani, edhe pse kishte njohuri se ai është siguruar në mënyrë të paligjshme.

I dëmtuari Rrahim Kashtanjeva foli për Gazetën Jeta në Kosovë. ” E akuzuara na ka shkaktuar dëm të madh edhe në familje”, tha ai.

Nuhi Paçarizi avokat i të pandehurës Ardiana Gorani tha se klientja e tij i pranon veprimet, por jo edhe fajësinë, ndërsa i akuzuari Sherif Gashi veten e konsideron të pafajshëm.

Ndërsa i pandehuri i dytë Sherif Gashi akuzohet se nga e akuzuara e parë Ardiana Gorani ka pranuar këtë materizal ndërtimor edhe pse e ka ditur se është përfituar nga vepra penale e mashtrimit.

Avokati i palës së dëmtuar Muhamet Humolli i kërkoi gjykatës paraburgim për Goranin si masë sigurie, duke e arsyetuar kërkesën e tij me faktin se pejania e akuzuar është recidiviste.

Ardiana Gorani është duke u gjykuar në Gjykatën Themelore të Pejës edhe për shitje të një numri të madh makinash pa dokumente, duke mashtruar blerësit e tyre. Në këtë rast është përfshirë edhe Enver Berisha, kandidati i AAK-së për kryetar të Klinës.
 
Gazeta Jeta në Kosovë shkoi para pesë ditësh për rastin e mashtrimit me makina.

Prokurori i çështjes Shukri Jashari kundërshtoi propozimin për paraburgimin e Goranit, pasi më parë vetë Humolli ishte kundër kësaj mase për të pandehurën.

Në seancën e kaluar, më 26 shkurt,  prokurori propozoi mbajtjen prapa grilave të Ardiana Goranit, ndërsa atë ditë avokati i të dëmtuarit Kashtanjeva, kundërshtoi prokurorin.

Gjykata vendosi që nuk ka bazë për ta dërguar në paraburgim Goranin dhe ajo do të marrë pjesë në gjykim nga gjendja e lirë.

Seanca e radhës është caktuar më 2 prill.