Arrestohet Shoku i Bllacës

Lajmi për arrestimin e Hajdarit e ka konfirmuar Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Policinë e Kosovës.

Sipas Ahmetit arrestimi i një personi të kërkuar nga gjykata  është bërë të mërkurën rreth orës 14:30  nga Njësitë e Stacionit Policor-Veri . Arrestimi ka ndodhur në rrugën “Vëllezërit Fazliu” në lagjen Kodra e Trimave.

Gazeta ka kontaktuar me avokatin i cili e kishte mbrojtur Hajdarin deri në përfundim të procesit gjyqësor. Avokati Ramiz Krasniqi tha se nuk di gjë për këtë arrestim dhe se është në pritje të vendimit për ankesat të cilat i ka bërë në shkallën e dytë në Gjykatën Supreme.

Me 17 dhjetor 2012 Gjykata e Qarkut në Prishtinë e drejtuar nga gjykatësit e EULEX-it shpalli fajtor dhe dënoi Shpresim Ukën me 15 vjet burg, Bekim Sylën dhe Sadik Abazin me  nga 12 vjet, Shaban Sylën me 8  dhe Driton Hajdarin me 7 vjet  burg.

Sipas aktakuzës, të pandehurit: Sadik Abazi, Bekim Syla, Fahredin Gashi dhe Shpresim Uka në bashkëkryerje me Nazim Bllacën (i deklaruar si dëshmitar bashkëpunues nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë) kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, të dënueshme sipas ish-Ligjit Penal të Kosovës.

Të pandehurit akuzohen se më 6 gusht të 1999-ës, kanë vrarë Ibush Kllokoqin duke e lënë të vdekur me disa të shtëna me armë zjarri. Atë natë Fahredin Gashi i kishte siguruar Nazim Bllacës një lloj të armës Skorpion. Pastaj ata së bashku me Shpresim Ukën, Bekim Sylën dhe Sadik Abazin shkuan te shtëpia e Ibush Kllokoqit.

Shpresim Uka kishte pritur afër shtëpisë, ndërsa Nazim Bllaca, Sadik Abazi, Fahredin Gashi dhe Bekim Syla kishin trokitur në derën e shtëpisë së Kollokoqit thuhet më tutje në aktakuzë. “Kur viktima u shfaq në derë, Nazim Bllaca e vrau atë me së paku 6 plumba”.

Ndërsa, i arrestuari Hajdari akuzohej që së bashku me të pandehurit Shpresim Uka, Shaban Syla dhe Nazim Bllaca më 12 qershor 2000 kishin tentuar të vrisnin Adem Salihajn. Vepra ishte kualifikuar si vrasje e rëndë e mbetur në tentativë.