Kryetari i Parteshit Dyshohet Për Keqpërdorim (TV)

Dragan Nikoliq, në vitin 2012 përmes një iniciative vullnetare qytetare kishte bërë kërkesë në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete për ndihmë në material ndërtimor për familjet serbe në rrethinën e Parteshit.

Ministria e aprovoi këtë kërkesë dhe ndan material ndërtimor në vlerë prej 45 mijë eurosh për 15 familje.

Dragan Nikoliq pa aprovimin e askujt ua shpërndau këtë material 51 familjeve, gjë për të cilën Prokuroria Themelore në Gjilan e ka akuzuar se ka përdorë pasurinë e luajtshme që i ishte besuar në detyrë .

Me këtë rast sipas prokurorit Agron Uka janë dëmtuar 15 familjet e parapara për ndihmë sipas vendimit të ministrisë.

Pas leximit të aktakuzës Dragan Nikoliq nuk e pranoi fajësinë.
 
Avokati Miodrag Brklaq njëri nga mbrojtësit e Nikoliqit u ankua se mbrojtjes nuk i janë vu në dispozicion të gjitha provat.

Ndërsa gjyqtari Afrim Shala i tregoi avokatit se këto shkresa i ka marrë Rrustem Latifaj, avokati tjetër i Nikoliqit.

Avokati Miodrag Brklaq i tha Gazetës Jeta në Kosovë se është herët për të dhënë ndonjë parashikim tani për tani.

“Gjykata ka kërkuar nga palët që nëse mendojnë se ka bazë, të paraqesin kundërshtim deri në afatin e caktuar, dhe mbrojtja do ta shfrytëzojë këtë mundësi, sepse kemi çka të themi“, tha Brklaq.

Dragan Nikoliq nga Iniciativa Qytetare ”Srpska“ është zgjedhur kryetar i komunës së Parteshit, pasi që e kishte mundur në balotazh Nenad Cvetkoviqin e SLS-së. 

Ligji penal parasheh dënim me gjobë ose dënim me burgim deri në tre vite për veprën penale, me të cilën ngarkohet Nikoliq.

Seanca e radhës mbahet më 28 mars.