Kryetari i AAK-së në Klinë Akuzohet Për Mashtrim me Vetura

Sipas aktakuzës, Berisha i cili ka qenë pretendent për të marrë postin e kryetarit të Klinës në zgjedhjet lolake të vitit 2009 dhe ato të vitit 2013, në bashkëpunim me Ardiana Gorani-Begollin nga Peja, gjatë periudhës qershor-gusht të vitit 2010, kanë mashtruar 25 qytetarë nga Peja, duke u shitur vetura pa dokumente.

Aktakuza shpjegon se më 10 qershor të vitit 2010, Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë e Kosovës përmes ankandit publik kishte shitur 308 vetura, të cilat ishin blerë nga një person nga Komuna e Rahovecit, për 140 mijë euro.

156 nga këto vetura kanë qenë të padoganuara.

Qytetari i Rahovecit ia shet më tutje 208 vetura një banori të komunës së Prishtinës, nga i cili Ardiana Gorani-Begolli nga Peja blen 204 vetura me çmimin prej 154 mijë e 900 eurosh.

Gorani-Begolli, në bashkëpunim me Berishën, në periudhën kohore qershor-gusht të vitit 2010 kanë filluar t’i shesin veturat tek blerës të ndryshëm, me çmim prej 650 deri në 3 mijë euro.

Prokuroria thotë se të akuzuarit u kanë premtuar në vazhdimësi blerësve të veturave se dokumentet janë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe posa ti marrin ato, do të ua japin pronarëve të rinj, gjë kjo që nuk ka ndodhur deri më tash.
 
Në seancën e së martës  janë dëgjuar dëshmitë e të dëmtuarve në këtë rast.

Bashkim Muriqi, tha se nga e akuzuara në vitin 2010 kishte blerë 96 makina, ku nga këto makina të cilat i kishin takuar MPB-së, për 30 prej tyre e akuzuara i kishte premtuar se do t’i sigurojë dokumentet, mirëpo sipas Muriqit që nga ajo ditë e deri me sot si ka marrë ato dokumente.

Këto dokumente kam dëgjuar se një person i quajtur Taip, i cili është nga Rahoveci po i shet nga 500 euro, tha Muriqi.

Të pesë dëshmitarët që kishin blerë prej 1 deri në 96 vetura, treguan para gjykatës së të akuzuarit i kishin mashtruar për dokumentet e veturave.

Seanca e ardhshme mbahet më 14 dhe 15 prill.