Dënimi me Burg i Kthehet në Orë Pune Për Komunitetin (TV)

Tefik Nura është dënuar me tre muaj burg për vjedhje nga Gjykata Themelore Ferizajt, por nuk do të qëndrojë prapa grilave për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike. Njëzet e tetë vjeçari është punëtor krahu.

Atij dënimi i është kthyer në shërbim për komunitetin. Nura do të kryejë 150 orë pune për të mirën e përgjithshme të shoqërisë, gjatë gjashtë muajve, prejse vendimi ndaj tij do të bëhet i plotfuqishëm.

Sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Tefik Nura akuzohej se me datën 2 tetor 2010 në qendrën tregtare “Ben-Af” që në atë kohë ndodhej në qendër të Ferizajt, në mënyrë të kundërligjshme i ka marrë portofolin nga xhepi të dëmtuarit Sabit Rashiti.

Rashiti kishte në kuletë 130 euro, të cilat i mori Nura, duke ikur nga qendra tregtare.

Vjedhja është filmuar edhe nga kamerat e sigurisë të qendrës tregtare.

Nura pranoi fajësinë dhe tha se është penduar për veprën e bërë. Ai tregoi se vetë ka shkuar për ta lajmëruar rastin e vjedhjes prej tij në polici.

Para shpalljes së aktgjykimit, i dënuari me orë pune kërkoi dënim sa më të butë, duke përmendur se familja e tij ka 16 anëtarë dhe gjendje të keqe ekonomike.

Nura iu gëzua dënimit tjetër nga ai me burg, duke thënë se është më mirë të punojë diçka për të mirën e shtetit, sesa të rrijë i burgosur.

Gjykata, pranimin e fajësisë e mori si rrethanë lehtësuese. Kryerjen e orëve të punës për Nurën do ta mbikëqyrë Shërbimi Sprovues i Kosovës.