Ivanoviqi Kërkon Lirimin nga Paraburgimi

“Nuk ka asnjë arsye për të zgjatur paraburgimin për Ivanoviqin, sikur që nuk pati arsye fare që u paraburgos para një muaji”, i tha avokati i Ivanoviqit, Nebojsha Vllajiq agjencisë serbe të lajmeve Tanjur të mërkurën.

Prokurorët nga Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, kanë kërkuar zgjatjen e paraburgimit para gjykimit për Ivanoviqin, i cili është në paraburgim që nga 27 janari. Vendimi pritet të merret të enjten pasdite.

Përkundër qëndrimit në paraburgim, Ivanoviqi ka marrë pjesë në zgjedhjet lokale për kryetar të Mitrovicës Veriore në pjesën me shumicë serbe në Kosovë, duke dale i dyti sipas rezultatit. Arrestimi i tij ka shkaktuar pakënaqësi në mesin e serbëve në qytet, të cilët dolën në rrugë për të protestuar.

Ivanoviq u arrestua muajin që shkoi “si i dyshuar në hetimet për krime lufte që janë duke u zhvilluar”, sipas EULEX-it dhe ai është edhe i dyshuar për përfshirje në dhunën e vitit 2000, kur u vranë dhjetë shqiptarë të Kosovës dhe shumë të tjerë u plagosën dhe u përzunë nga shtëpitë e tyre.

Asokohe, ai po udhëhiqte me ‘Rojat e Urës’ që patrullonin në urën kryesore në Mitrovicë, e cila e ndan qytetin në pjesën e shqiptarëve dhe serbëve.

Në ndërkohë kryetari i ri i sapozgjedhur në Mitrovicën Veriore, Goran Rakiq, është ankuar tek EULEX-i, OSBE-ja , Forcat e BE-së dhe NATO-s në Kosovë që t’i ndihmojnë të sigurojnë lirimin e të “gjithë personave nga Mitrovica që po mbahen në paraburgim pa arsye”, duke  përfshirë edhe Ivanoviqin.

Rakiq tha se një gjë e tillë do të ndihmonte në uljen e tensioneve dhe përmirësimin e stabilitetit në pjesën veriore me shumicë serbe në Kosovë.

Organizata politike e Ivanoviqit, Iniciativa për Liri, Demokraci dhe Drejtësi ka ftuar që ky “proces i motivuar politikisht dhe i pabazuar që kërcënon paqen e brishtë dhe stabilitetin politik në Kosovë” të përfundojë sa më parë.

“Ne mendojmë që persekutimi politik nuk ka vend në një sistem të pavarur dhe profesional gjyqësor, siç e paraqet veten e vet gjyqësori i Kosovës’’, deklaroi organizata, sipas B92-shit në Beograd.

Politikanët e lartë në Serbi gjithashtu kanë kërkuar lirimin e tij.