Nënkryetari i Komuniteteve Nuk Kënaq Ligjin As Komunitetet (TV)

Imri Ahmeti, kryetar i Lipjanit ka zgjedhur për nënkryetar Safet Tashollin, ndërsa sipas Bajram Gashit përfaqësues i komunitetit ashkali dhe aktivist i partisë së këtij komuniteti  PAI,  Ahmeti ka pasur një marrëveshje me këtë komunitet, sipas së cilës, nëse komuniteti ashkali e voton LDK-në në zgjedhjet lokale, atëherë nënkryetari i dytë do të ishte nga komuniteti i tyre.

Ai thotë se kjo marrëveshje është bërë edhe në raundin e parë edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve.

“Të drejtat tona për marrjen e kësaj pozite na janë shkelur edhe në mandatin e Shukri Bujës e që të njëjtën rrugë po e vazhdon edhe Imri Ahmeti”, thotë Bajram Gashi.

Ai mendon se Sefer Tasholli nuk mund t’i mbrojë interesat e komunitetit shkali, sikur që do t’i mbronte një nënkryetar ashkali.

Kryetari i PAI-t Haqif Mehmeti, thotë se është e vërtetë se  ka ekzistuar një marrëveshje me kryetarin e komunës Imri Ahmeti, por sipas tij marrëveshja ka qenë që nënkryetari i dytë për komunitetet të zgjidhet nga komuniteti ashkali, vetëm nëse anashkalinjtë e fitojnë një këshilltar komunal.

“Do të ishte mirë që nënkryetari për komunitetet të ishte nga minoritetet, por ne nuk kemi fituar një asamblist, pasi që jemi ndarë në tre parti dhe për këtë nuk është realizuar marrëveshja”, tha Mehmeti.

Por kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti  thotë se nuk është e vërtetë se ka pasur një marrëveshje me ndonjë komunitet, e as atë ashkali. Ai mendon se këta që përmendin marrëveshjen janë disa individë të shtyrë nga kundërshtari i tij politik, PDK-ja.

Kryetari Ahmeti e kundërshton edhe marrëveshjen që përmend kryetari i PAI-t
 
“Unë nuk mund ta identifikojë se kush më ka mbështetur, ose jo në zgjedhje. Ligji e përcakton se komuna mund të ketë edhe një nënkryetar të dytë, por nuk specifikohet se nga cili komunitet duhet të jetë ky nënkryetar “, thotë kryetari Ahmeti.

Lulzim Rrustemi, nënkryetar i  degës së PDK-së në Lipjan, thotë se nuk kanë kontaktuar me asnjë komunitet dhe as atë ashkali dhe se akuzat e Ahmetit nuk janë të vërteta.

“Ne e kemi dërguar një ankesë në MAPL lidhur me emërimin e nënkryetarit Sefer Tasholli, pasi që me këtë kanë bërë shkelje ligjore”, thotë Rrustemi.

Lipjani nuk ka të drejtë për nënkryetar të dytë

Ligji për Vetëqeverisje Lokale, neni 61.1, thotë se komunat ku të paktën 10% e qytetarëve u përkasin komuniteteve joshumicë do të kenë një nënkryetar për komunitete.

Në pikën 3 të nenit61 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, thuhet se emërimi dhe shkarkimi i Nënkryetarit për Komunitete propozohet nga Kryetari i Komunës dhe duhet të miratohet nga shumica e anëtarëve të Kuvendit të Komunës që janë të pranishëm dhe votojnë, si dhe shumica e anëtarëve të Kuvendit të Komunës që janë të pranishëm dhe votojnë, të cilët u përkasin komuniteteve joshumicë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar për mundësinë e zgjedhjes së nënkryetarit të dytë në komunën e Lipjanit në fillim të janarit.
http://gazetajnk.com/index.php?cid=1,3,7319

Agron Maxhuni udhëheqës i Departamentit Ligjor dhe Monitorimit të Komunave në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal i pati thënë atëherë Gazetës Jeta në Kosovë, se asnjë komunë që ka më pak se 10 për qind minoritete nuk ka të drejtë të ketë nënkryetar për komunitetet.

Sipas tij, nëse komuna e Lipjanit zgjedh edhe një nënkryetar, bën me këtë rast shkelje të ligjit mbi qeverisjen lokale.

Regjistrimi i popullsisë i bërë në vitin 2011 që kishte nxjerrë rezultatet përfundimtare në vitin 2012, ka konkluduar se në Lipjan jetojnë në përgjithësi 6 për qind minoritete.

Por kështu nuk mendon Ahmeti.

“Është e vërtetë se unë e kam emëruar Sefer  Tashollin si nënkryetar për komunitete dhe nuk jam konsulltuar me Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, por mendoj se kjo nuk përbën asnjë shkelje ligjore, për shkak se këtë ma lejon rregullorja jonë e brendshme”, thotë Imri Ahmeti.

Neni 44 i Statutit të Komunës së Lipjanit pika 1, thotë se komuna në pajtim me nenin 61, paragrafin 61.1 të Ligjit do të ketë Nënkryetarin për komunitete.

Në këtë pikë thuhet vetëm Ligjit, duke mos u cekur cilit ligj, por kryetari i komunës Imri Ahmeti e ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë se është fjala për Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, i cili në këtë nen parasheh që vetëm komunat që kanë 10 për qind komunitete mund të kenë një nënkryetar për komunitete.

Sefer Tasholli, nënkryetar i dytë për komunitete në komunën e Lipjanit tha se zgjedhja e tij nuk përbën shkelje ligjore, meqë sipas tij Ligji për Vetëqeverisje Lokale nuk e thotë se nënkryetari për komunitetet duhet të të jetë nga minoritetet.

“Mendoj se jam i pranueshëm për të gjitha minoritetet në komunën e Lipjanit, pasi që e kaluara ime gjithmonë ka qenë në shërbim të qytetarëve, kam vullnet dhe besoj se nuk do të kem problem në kryerjen e kësaj detyre”, thotë Sefer Tasholli.

Agron Maxhuni nga MAPL-ja thotë se kjo ministri ka monitoruar mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Lipjanit të mbajtur me 29 janar 2014 dhe ka përgatitur raportin.
 
“MAPL-ja është duke përgatitur vlerësimin e ligjshmërisë së këtij vendimi dhe i njëjti posa të nënshkruhet nga ministri i MAPL-së do të dërgohet në komunë dhe njëkohësisht edhe mediave”, tha Maxhuni.

Komuna e Lipjanit edhe në mandatin e kaluar kur kryetar ishte Shukri Buja nga PDK-ja kishte dy nënkryetarë.

Buja i tha Gazetës Jeta në Kosovë se në mandatin e tij i kishte dy nënkryetarë, meqë njëri ishte nënkryetar për komunitete dhe se në atë kohë sipas regjistrimeve të paraluftës llogaritej që Komuna e Lipjanit kishte 16 për qind minoritete.
 
Në një raport të Qendrës Evropiane për Çështje të Minoriteteve në Kosovë, thuhet se në bazë të vlerësimeve të mëparshme, vetëm komuniteti turk në komunën e Lipjanit ka përbërë 6 deri në 7 për qind të popullsisë së përgjithshme të komunës, ndërsa sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2011, ata arrijnë në vetëm 2 për qind.