Mësuesi që Përmirëson Notat e Koleges (TV)

Pranvera Grazhdani- Haliti, arsimtare e lëndës së fizikës për 28 vjet, e ka shprehi që secilën notë që ua lë nxënësve ta shkruajë edhe në një fletore personale për ta ruajtur si dëshmi.

Ajo ankohet se në shkollën “Selami Hallaçi” të Gjilanit, ku punon në katër vjetët e fundit, një koleg i saj-Emin Ramadani që aty jepte matematikë, gjatë katër vjetëve ia ka përmirësuar shtatë nota të nxënësve të klasës me numrin rendor 6.

“ Këto përmirësime kanë ndodhur në qershor të vitit të kaluar, kur duhet nxënësit t’i marrin dëftesat dhe të regjistrohen në shkolla të mesme me nota të rrejshme “ thotë Grazhdani.

Emin Ramadani ishte kujdestar klase i paraleles numër 6 të kësaj shkolle, duke e përcjellë atë nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.

“ Pasi që e kam plotësu librin amë të klasës sime, e kam shfletu edhe amzën e klasëve tjera dhe kam pa se notat janë të përmirësuara prej klasës  VI/6 deri në IX/6, dhe atë shtatë nota “, thotë Grazhdani .

Ajo thotë se kur ka vërejtur këtë ndryshim notash, është ankuar me shkrim te drejtori i shkollës, duke kërkuar ditarët e klasës ku i janë përmirësuar notat pa dijen e saj gjatë katër vjetëve.

“ Kam kërku të mi sigurojë ditarët në mënyrë që të krahasoj fletoren time me ditarët , por drejtori nuk mu ka përgjigjë, me arsyen se nuk ke bërë ankesë “, thotë Grazhdani.

Por, Ahmet Aliu drejtor i shkollës  fillore “Selami Hallaçi“ në Gjilan e konfirmon pranimin e ankesës nga arsimtarja.

“ Ka ardhë një ankesë, e cila thotë se arsimtari Emin Ramadani i ka përmirësu notat në lëndën e fizikës, por nuk ka specifikuar gjeneratën, cilin nxënës dhe për cilën paralele bëhet fjalë “, thotë Aliu.

Kërkesa e arsimtares Grazhdani, e dorëzuar më 10 korrik 2013 është e shkruar me dorë dhe vështirë e lexueshme.

Drejtori Aliu thotë se nëse e arsimtarja Grazhdani e precizon kërkesën, rasti do të hetohet.

“Nëse arsimtarja specifikon kërkesën me emër të nxënësit, klasën dhe vitin mësimor se kur është bërë ndryshimi i notës, ne do të formojmë komision për ta verifikuar këtë. Në rast se konstatohet shkelja, ne do të ndërmarrim masa ligjore”, thotë Aliu.

Pranvera Grazhdani tregon se pas dorëzimit të kërkesës me shkrim, është injoruar nga drejtori Aliu.

“Drejtori Ahmet Aliu ma ka mbyllë telefonin dhe herën e dytë më ka thenë se ka punë tjera”, thotë Grazhdani.

Arsimtarja rastësisht thotë të ketë gjetur njërin nga ditarët, ku i është përmirësuar nota e një nxënëseje nga 4 në 5. Në ditar dhe në fletoren e arsimtares së fizikës nota është e njëjtë, ndërsa në liubrin amë ajo është bërë pesë.

 “Kur rastesisht e kam gjetur  vetëm njërin prej ditarëve dhe librin amzë, atëherë notat që i kam në fletoren time me notat që janë në ditar përputhen, ndërsa notat në amzë nuk përputhen me ditarin dhe fletoren time, që do të thotë se kjo është dëshmi e fortë që notat më janë përmisrësu nga ana e kujdestari të klasës“, thotë arsimtarja Pranvera Grazhdani.

Nënshkrimi te libri amzë, ku është përmirësuar nota është i Emin Ramadanit, arsimtarit të matematikës dhe kujdestarit të klasës VI/6. Arsimtarja ka gjetur ditarin e kësaj klase.

Arsimtari pranon përmirësimin e notës

Arsimtari Emin Ramadani që tash është në pension, pranon se ia ka përmirësuar notën e lëndës së fizikës një nxëneseje, por thotë që këtë gjë ta ketë bërë pa qëllim, duke argumentuar se nuk e ka bërë përmirësimin në ditar.

“Arsyeja është se nxënësja i ka pasë të gjitha notat pesa, kur e kam shiqu në ditar dhe e kam përmirësu edhe në fizikë. “ Është bërë pa qëllim dhe gabimi është te unë , por jo me qëllim “, thotë Ramadani.

Ramadani tregon se ka përvojë 41 vjeçare në arsim, ndërsa sipas tij asnjëherë nuk janë ankuar për të nxënësit, prindërit e tyre dhe kolegët. Ai thotë se sikur të më kishte njoftuar arsimtarja për këtë gabim, do ta kisha përmirësuar me kohë.
 
“Asnjëherë deri më tash nuk më ka thënë se në filan klasën e ke përmisu këtë notë“, thotë
Ramadani.

Por Pranvera Grazhdani tregon se këtë çështje e ka përmendur në një mbledhje të personelit shkollor.

“Mbasi erdhi edhe arsimtari [Ramadani në mbledhje] thashë më jepni përgjigje çka ndodhi me notat e mia. Ai nuk foli asnjë fjalë dhe drejtori e përfundoi mbledhjen”, shpjegon arsimtarja Grazhdani.

Ajo thotë se për përmirësimin e notave pa leje është ankuar edhe në Drejtorinë e Arsimit të Gjilanit.

Jetmir Jerliu zyrtar për arsim të mesëm të ulët në komunën e Gjilanit thotë se nuk është i informuar për lëndën.

Por Pranvera Grazhdani thotë se është ankuar edhe në Drejtorinë e Arsimit më 17 korrik 2013, me anë të një letre me shkrim, ku njofton për rastin.

Jerliu shpjegon procedurën që duhej të ndiqte shkolla ”Selami Hallaçi”.

“Nëse është bërë kërkesë apo ankesë në shkollë, shkolla është dashtë t’ia kthejë një përgjigje pozitive apo negative  mësimdhënëses“, thotë Jerliu.

Jerliu tregon se arsimtari Ramadani tashmë ka dalë në pension.

“Shkolla është  e obliguar ta verifikojë rastin dhe nëse ka ndodhë kështu siç po flitet, atëherë janë organet që merren me këtë çështje dhe drejtori i shkollës është i obliguar me njoftu policinë për krime ekonomike dhe gjykatën “, thotë Jerliu.

Por vetë arsimtari Ramadani i jep të drejtë koleges së tij dhe është i gatshëm të përballet me pasojat.

“Arsimtarja ka të drejtë, edhe në gjykatë jam i gatshëm me u përballë“, thotë Ramadani.