Një Revole e “Huaj” në Veturën e Policisë së Kosovës (TV)

Sipas raportimeve të  para, revolja e tipit Ekol është gjetur në një veturë Golf 5, e cila shfrytëzohet nga stacioni Qendra në Prishtinë, ndërsa vazhdon të mbetet mister se si kjo revole ka përfunduar nën karriget e veturës së policisë.

Arbër Beka, zëdhënës i Inspektoratit Policor të Kosovës ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë, se janë nisur hetime për këtë çështje.

“Dje Inspektorati ka marrë një informatë se në një veturë zyrtare të policisë është gjetur një revole e braktisur”, tha Beka.

Sipas tij revolja është gjetur në kohën kur vetura ishte e parkuar në një pikë të karburanteve në Fushë Kosovë.

Beka më tutje shtoi se raportimi i parë për këtë çështje ka ardhur nga vetë Policia e Kosovës, ndërsa pas raportimit IPK-ja e ka konfiskuar revolen, e cila do të dërgohet në ekzaminim në laboratorin e kriminalistikës.