Bisedë e Mbyllur për Dorëheqjet në AKI (TV)

“Është shqetësuese dorëheqja e disa zyrtarëve të AKI-së. U them me bindje të plotë se agjencia si institucion i rëndësishëm nuk do të bëhet agjenci e dostave të askujt”, tha kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së Florin Krasniqi.

Të mërkurën në këtë komision raportoi kryeinspektori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Agron Selimi.

“Kemi një shtet tepër të dobët me disa njerëz tepër të fuqishëm. Ne do të punojmë natë e ditë që me bë një shtet të fuqishëm me ne si punëtorë jo shumë të fuqishëm”, tha Krasniqi.

Sipas Krasniqit, kryeinspektori Selimi raportoi për dorëheqjet e zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, ndërsa shtoi se edhe diskutimi u përqendrua në këtë çështje.

Krasniqi për Gazetën Jeta në Kosovë nuk i tha emrat e atyre që kanë dhënë dorëheqje, por tregoi se janë 3 persona të dorëhequr.

Ai shtoi se dorëheqja e fundit e Drejtorit të Departamentit për Marrëdhënie me Jashtë në AKI, Artan Plakaj akoma nuk është zyrtare.

 “Ai është në pushim mjekësor në Zvicër, dhe nuk ka dhënë zyrtarisht dorëheqje”, pohoi Krasniqi.

Nënkryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së Fadil Demaku, tha se AKI-ja është një institucion i cili ka përvojë vetëm tre-katër vjeçare dhe sipas tij papërvoja mund të jetë edhe sfidë.

 “AKI-ja nuk është ndonjë institucion që ka ndonjë përvojë më të gjatë, janë vetëm tre katër vjet dhe natyrisht se fillimi çdo herë i ka vështirësitë e veta në të gjitha segmentet, edhe ne përzgjedhjen njerëzve që vijnë aty”, tha Demaku.

Ai beson se me kalimin e kohës do të ngrihet cilësia e procesit të përzgjedhjes dhe do të rriten nivelet e sigurisë.

Ndërsa anëtari i këtij komisioni, Burim Ramadani nga radhët e AAK-së tha se fushata kundër kësaj agjencie është logjikë e gabueshme.