Komuna Nuk Kënaqet me Vlerësimin e IKSHP-së

Raporti i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike rreth rrezikut shëndetësor që mund ta shkaktojë niveli i mundshëm i lartë sulfurit, nuk e ka kënaqur Komunën e Prishtinës.

“Instituti nuk  ka dhënë vlerësim të niveleve të tilla të squfurit dhe efektet potenciale në shëndet. Instituti nuk ka dhënë as edhe analizën më të vogël për vlerat e lejuara të squfurit në ambiente të tilla pa filtra dhe makina përkatëse për djegien e vajrave”, thuhet në komunikatën e komunës së Prishtinës.

Komuna e Prishtinës ndërpreu mësimin në institucionet edukativo-arsimore të saj më 7 shkurt, pasi mori rezultatet nga laboratorët e licencuar prej MTI-së për sasinë e sulfurit në naftën e shfrytëzuar për ngrohje në shkollat fillore “Asim Vokshi” e “Meto Bajraktari” dhe gjimnazin “Sami Frashëri”

Komuna thotë se Instituti ka konstatuar se në këto tri shkolla rezervuarët janë të mbyllur dhe nuk mund të kontaminojnë ajrin në klasa dhe se po të njëjtat makina nuk kanë filtrat e nevojshëm, por megjithatë oxhaqet janë të larta mbi nivelin e shtëpive.

E pakënaqur me këto vlerësime, komuna e Prishtinës paralajmëron se do të marrë hapa  konkretë duke kërkuar edhe ndihmën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në njoftimin e komunës thuhet se  “shkollat ku rezervuarët janë në hapësira të mbyllura do të rifillojë mësimin në bazë të përgjigjes së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë ku përgjegjësinë për këtë e merr Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe komisioni i ekspertëve të Institutit”.

Naser Ramadani, drejtor i këtij Instituti, nuk deshi të komentojë kur u kontaktua nga Gazeta Jeta në Kosovë.

“Ne nuk prononcohemi. Komuna e Prishtinës do të prezantojë raportin tonë”,  deklaroi Ramadani.

Nisja e hetimeve

Ndërkohë Jusuf  Thaçi, drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës mbajti një konferencë shtypi të hënën, duke treguar se  prokuroria shtetërore bashkë me policinë e  krimeve ekonomike, kanë filluar hetimet sa i përket cilësisë së naftës në shkollat e kryeqytetit.

Drejtori i Arsimit, duke bërë prezantimin sqarues në lidhje me çështjen e naftës në institucionet arsimore, ka thënë se udhëzimi Administrativ (UA) Nr. 07/2012 i përcakton qartë llojet e ndryshme të karburanteve të lëngëta të naftës dhe njëra prej tyre është edhe dizeli.

“Vlera maksimale e lejuar e squfurit në dizel është 10 mg/kg. Komuna e Prishtinës ka kontratë me kompaninë për furnizim me dizel dhe jo me lëndë të tjera, sepse shkollat nuk i kanë mekanizmat dhe filtrat e nevojshëm për të përdorur vajra të tjera”, tha Thaçi.

Ai ka thënë se kjo dëshmohet qartë në kontratën në mes të Komunës së Prishtinës dhe kompanisë furnizuese “edhe po ashtu dëshmohet edhe më qartë në faturat e lëshuara nga kompania ku shkruan: “NAFTË EURODIZEL 10 PPM”

 “Edhe në bazë të kontratës edhe në bazë të faturës, komuna paguan naftë dizel dhe me çmim të naftës së veturës, prandaj duke u bazuar në këto elemente dhe pasi ka dalë në media, komuna ka marrë masa të bëjë verifikimin … është mbajtur një mbledhje urgjente dhe kemi kërkuar që sa më parë të mbyllen Institucionet arsimore, pa e paragjykuar fajtorin e as pasojat”, thotë Thaçi.

Sipas, komunës së Prishtinës, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka konstatuar se analizat laboratorike tregojnë se lënda që përdoret për ngrohje nuk është naftë sipas nenit 7 të udhëzimit administrativ 07/2012, por është vaj për djegie.

Udhëzimi Administativ për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës 07/2012 lejon që sulfuri në vajrat e rënda për ngrohje të jetë në sasinë 10 mijë ppm (pjesë për milion). Një vaj të tillë të njohur si mazut përdor ngrohtorja e Prishtinës Termokos.

Vajrat gazore, sipas të njëjtit udhëzim mund të kenë përmbajtje të sulfurit në shkallën 1000 ppm.

Sasia e sulfurit në naftën e tri shkollave të Prishtinës ka dalë të jetë në shkallën e 680 ppm (pjesë për milion).

Për cilësinë dhe prezencën e lartë të sulfurit të naftës në shkollat e kryeqytetit ka reaguar edhe Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, duke kërkuar nga organet kompetente të mos lejojnë naftë të cilësisë së dobët.

“Menaxhimi i deritanishëm për kontrollin dhe garantimin e cilësisë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk është fare adekuat dhe nuk garanton cilësi e as siguri siç po tregon edhe rasti i fundit në komunë”, thuhet në komunikatën e naftëtarëve të Kosovës.

Në anën tjetër grupi i këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, kanë dalë me një komunikatë për media, ku thonë se Shpend Ahmeti nuk i respekton ligjet e Republikës së Kosovës.

Kjo sipas tyre dëshmohet edhe me rastin e dhënies së urdhrit për mbylljen e shkollave të Prishtinës, edhe pse ai nuk ka kompetencë për ta bërë një gjë të tillë.

“Ministria mund ta ndërpresë punën e institucioneve arsimore të cilat nuk janë të licencuara apo veprojnë në ambiente të pasigurta dhe të pashëndetshme”, citon nenin 8, pikën 6.1 Ligjit për Arsim Parauniversitar në Republikën e Kosovës, grupi i këshilltarëve të LDK-së në komunikatën e tyre.

Ndërkaq ministri i Arsimit, Ramë Buja në një konferencë shtypi e vlerësoi të ngutshëm vendimin e kryetarit të Prishtinës për mbylljen e shkollave.

Buja u kërkoi falje prindërve dhe deklaroi se nëse mësimi nuk do të fillojë të marten e 11 shkurtit do të merren masa ligjore ndaj Komunës së Prishtinës.

Hib Petroli mohon edhe një herë

Ndërsa, kompania  Hib Petrol, e cila ka kontratë me Komunën e Prishtinës për furnizim me naftë të shkollave të kryeqytetit, edhe njëherë ka reaguar kundër shkrimeve në media.

Në një njoftim të  kësaj kompanie thuhet se  “nuk qëndrojnë pretendimet e sotme në media se Hib Petrol ka bërë furnizim me naftë industriale për institucionet shkollore në vend.

“Në kontratën në fuqi, e lidhur me 8 shkurt 2012, ndërmjet HIB Petrolit dhe Komunës së Prishtinës, malli referohet si “naftë për ngrohje dhe gjeneratorë”, pa asnjë specifikacion tjetër. Duke respektuar këtë, ne kemi bërë furnizimin me naftë për ngrohje të tipit eurodizel 10ppm, e cila nuk është naftë industriale, por është naftë konform standardeve dhe udhëzimit administrative të MTI-së, me nr. 07/2012”, thuhet në njoftimin e HIB Petrol.

Naftë industriale konsiderohen vajrat për ngrohje, sasia e sulfurit te të cilat është në sasinë 1000, ose 10000 ppm.

Ndërkohë Letafete Latifi, ushtruese detyre e drejtorit të  Instituti Hidrometeorologjik të Kosovës, duke folur për ndotjen e ajrit në Prishtinë ka thënë se monitorimi ndahet në dy periudha, në periudhën e sezonit veror dhe dimëror.

Sipas saj në këtë periudhë kohore, jo vetëm këtë vit, por në të gjitha vitet e mëhershme dhe në të gjitha vendet e botës- rritet përqendrimi i disa ndotësve në ajër, për shkak se ndotjes i shtohet edhe ngrohja.

Ajo thotë se nuk ka nevojë të krijohet panik dhe të mbyllen shkollat.

“Nëse kemi emitime të gazrave në ajër nga oxhaqet e kaldajave për ngrohje të shkollave,  ai gaz nuk shpërndahet në ambientin e brendshëm të shkollave, por në ajrin të cilin e thithin të gjithë banorët e Prishtinës, e çka atëherë si të arsyetohet kjo, të ikin të gjithë banorët nga Prishtina“, është shprehur Latifi.

Sipas Latifete Latifit, matja ose monitorimi i cilësisë së ajrit në Kosovë bëhet përmes matjeve automatike, që domethënë se instituti ka sistemin e matjes 24 orëshe.

Në të gjithë territorin e Kosovës, Instituti Hidrometeorologjik, posedon gjithsej 12 stacione monitoruese te sistemit automatik.