Riemërohet Smakaj Drejtor i AKI-së

Presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim ThaçIi, më 31 janar kanë riemëruar Bashkim Smakajn si drejtor të përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Florin Krasniqi, kryetar i Komisionit për mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë tha se sipas mbikëqyrjes së komisionit, Smakaj ka bërë një detyrë relativisht të mirë duke pasur parasysh rrethanat dhe kushtet që i ka Kosova.

“Unë personalisht i gëzohem faktit që z.Smakaj është rizgjedhur, se mendoj që nuk është mirë që Agjencia t’i ndërrojë njerëzit”, deklaroi Krasniqi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai shtoi se me kalimin e kohës vërejtjet që duhet bërë AKI-së po zvogëlohen, andaj e cilësoi punën e Smakajt si tejet pozitive.

“Po të ishin të gjeturat rreth auditimit dhe inspektimit në rritje, atëherë kjo për mua do ishte shqetësuese”, shtoi ai.

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi në prill të vitit 2012 se bazën e AKI-së është duke e ndërtuar një kompani, pronari i së cilës është i afërt me PDK-në.

“Mendoj që nuk është mirë të diskualifikohen njerëzit, vetëm pse kanë votuar për një parti, ose që janë me një parti”, deklaroi atëherë Smakaj.

Smakaj u emërua në vitin 2009 për herë të parë si drejtor i AKI-së për një mandat pesëvjeçar me mundësi vazhdimi edhe për një mandat tjetër. Si drejtor i AKI-së, Smakaj duhet të ushtrojë të drejtat dhe të kryejë përgjegjësitë e veta, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Bashkim Smakaj është lindur më 1 korrik 1976 në fshatin Këpuz të komunës së Klinës. Ai është i diplomuar në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në Degën e Biologjisë dhe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në drejtimin e Shkencave Politike dhe Administratës Publike.