Lufta Antikorrupsion Sipas Prokurorisë (TV)

Vetëm për një muaj të vitit 2013, Prokuroria e Shteti ka trajtuar 973 raste të korrupsionit. Këtë e ka bërë publike  Laura Pula, koordinatorja nacionale për lëndët e korrupsionit, kur të martën në një konferencë për media ka publikuar raportin e lëndëve të kësaj natyre.

“Deri më datën 31 dhjetor 2013, Prokurori i Shtetit, ka regjistruar 973 raste, ku përfshihen 2 mijë e 470 persona”, tha Pula.

Sipas saj nga këto lëndë antikorupsion 827 raste kanë të bëjnë me persona publikë, 2 mijë e 189 prej të cilëve janë nën hetime. Janë edhe 146 lëndë kundër korrupsionit me persona jopublikë, ndërsa për to po hetohen 281 individë.

E para për luftimin e veprave të natyrës korruptive tha se Prokuroria e Shteti ka zgjidhur 123 raste të personave të akuzuar, ndërsa nga to ka ngritur 48 aktakuza, ndaj 124 personave.

Aktakuzat përfshijnë 75 persona që ngarkohen për keqpërdorim të pozitës, ose autoritetit zyrtar, 35 të tjerë për arkëtim dhe pagesa të kundërligjshme, 3 persona akuzohen për marrje e një për dhënie ryshfeti, 3 për keqpërdorim të informatave zyrtare, 2 për zbulim të fshehtësisë zyrtare, 1 për mosraportim, apo raportim të rremë të pasurisë, 2 për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike dhe 2 të tjerë për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Prokurorja Laura Pula nuk ka dashur të tregojë se çfarë pozitash kanë personat e akuzuar, ndërsa ka shtuar se këto të dhëna do të publikohen në një periudhë të mëvonshme.

Sipas koordinatores Pula, prokuroria e cila më së shumti trajton raste të korrupsionit është Prokuroria Themelore në Prishtinë që është duke shqyrtuar 349 raste me 1 mijë e 7 persona.

 “ Prokuroria Themelore e Prizrenit ka 134 raste me 284 persona. Prokuroria Themelore e Ferizajt ka 71 raste me 167 persona. Prokuroria Themelore e Gjilanit ka 87 raste me 184 persona. Prokuroria Themelore e Pejës ka 128 raste me 232 persona. Prokuroria Themelore e Gjakovës ka 53 raste me 98 persona. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka 62 raste me 317 persona. Si dhe Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka 89 raste me 181 persona”, tregoi Pula.

E sipas saj e gjithë kjo punë është kryer prej hyrjes në fuqi të Planit të Veprimit për Rritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial në Luftimin e Korrupsionit. Ky plan u miratua nga Këshilli Prokurorial i Kosovës në nëntor të vitit të kaluar.

Edhe pse Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën vitin e kaluar, vlerëson miratimin e strategjisë antikorrupsion, thotë që “Kosova ka nevojë t’i japë prioritet të lartë luftimit të korrupsionit në të gjitha nivelet e shoqërisë”.

Në Raportin e Transparency International për 2013 Kosova ka ecur mbrapa në listën e korrupsionit. Në vitin 2012 ajo ishte e 105-ta, ndërsa vitin e kaluar e 111-ta.

Pas publikimit të raportit të Laura Pulës, Agjencia Kundër Korrupsion i deklaroi RTK-së të martën, se është me e kënaqur me sistemin gjyqësor të Kosovës, derisa në vitin e kaluar, kreu i Agjencisë ishte më i kënaqur me prokurorinë e EULEX-it sesa me ato të Kosovës në shqyrtimin e lëndëve antikorrupsion të dërguara nga kjo agjenci.

Ndërsa tani sipas kësaj agjencie, po u jepet më shumë proiritet lëndëve të kësaj agjencie.