Komuna Rrënon Ndërtime Pa Leje në Ulpianë (TV)

Inspektorati i Komunës, të cilit më pas i është bashkuar edhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, të mbështetur nga policia kanë dalë të hënën në lagjen Ulpiana ku kanë bërë rrënimin e dy pjesëve të lokaleve të cilat sipas komunës nuk kanë pasur leje.

Në rrugën Imzot Nikë Prela që gjendet afër shkollës fillore Hasan Prishtina, komuna ka ndërhyrë që të ndalojë punën e një lokali i cili nga banesa ishte shndërruar në kafene.

Po ashtu është intervenuar edhe në hyrjen e banesës në të cilën ndodhej ky lokal dhe është rrënuar një mur i ndërtuar nga pronari i lokalit që sipas komunës ka qenë ndërtim pa leje.

Rrënimi është bërë në prani të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët herë pas here është dashur që të intervenojnë që të qetësojnë pronarin dhe të tjerë nga lokali, që e kundërshtuan këtë aksion të Komunës së Prishtinës.

Megjithatë, situata është mbajtur nën kontroll dhe puna e rrënimit është kryer me sukses.

Kryetari i Prishtinës, e ka arsyetuar vendimin për të ndërhyrë, meqë siç tha ai lokali nuk ka pasur leje pune dhe po ashtu ndërtimi që është bërë në hyrje të banesës ka penguar edhe Termokosin.

“Është ridestinim i një objekti të banimit në ambient të kafiterisë, e cila as nuk ka leje, as nuk e ka pëlqimin që me kërku leje, sepse për me kërku leje nevojitet që 50% e banorëve të japin pëlqimin. Këtu nuk ekziston asnjëra. Po ashtu, Termokosi nuk ka qasje në podrum, për shkak të intervenimeve që janë bërë nga lokali”, tha Ahmeti.

Ahmeti është zotuar edhe një herë se ndërtimet e tilla pa leje nuk do të tolerohen dhe ai ka ftuar qytetarët e Prishtinës që të bëjnë lajmërimin e këtyre ndërtimeve.

Në anën tjetër, pronari i lokalit, Besnik Zeqiraj, i pakënaqur me rrënimin e objektit të tij, ka thënë se kjo është vetëm lojë e politikës, sepse siç ka thënë ai, lokali i tij përmbush kushtet për të punuar.

“Ne kemi bërë kërkesën për leje të lokalit, por nuk na është kthyer përgjigje.  Unë jam i sigurt që ky është proces politik. ”, tha Zeqiraj.

Ai ka treguar se sot gjatë ditës ka tentuar që të takohet me kryetarin Ahmeti, por sipas tij kjo ka qenë e pamundur.

Në të njëjtën rrugë, Komuna e Prishtinës ka intervenuar edhe në lokalin Wings, ku sipas Inspektoratit të Prishtinës, lokali ka “bllokuar pasazhin” që ishte paraparë për lëvizje të qytetarëve. 

Pronari i lokalit, i cili ka kërkuar nga inspektorati që vetë ta bëjë rrënimin, i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se ai i ka nënshkrimet e banorëve të lagjes, sepse sipas tij, me ndërtimin e asaj shtese të lokalit, është pamundësuar që aty të qëndrojnë të rinj të cilët kanë përdorur substanca të ndaluara narkotike

Megjithatë, ai ka pranuar se nuk ka kërkuar leje nga komuna për ndërtimin e shtesës së lokalit.

Në fund të javës së kaluar Komuna e Prishtinës ka rrënuar një pjesë të objektit të kompanisë Elkos, e cila është pronë e deputetit të AAK-së, Ramiz Kelmendit.