Lëndët e Vjetra Barrë e Vazhdueshme e Gjykatës së Prishtinës (TV)

Ditën e enjte, kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, në një konferencë për media shpalosi një pasqyrë rreth asaj se si ka funksionuar kjo gjykatë në vitin 2013.

Gjykata Themelore e Prishtinës me seli në Prishtinë, është themeluar për territorin e komunave të Prishtinës. Fushë Kosovës, Obiliqit, Lipjanit, Podujevës, Gllogocit dhe Graçanicës.

Gjykata përbëhet prej Departamentit të Përgjithshëm dhe atij për Krime të Rënda, ndërsa  dhe ka kompetencë të veçantë për lëndët administrative, ekonomike si dhe për çështjen e rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijëve.

Sipas Ibrahimit, ndryshimi i strukturës organizative të gjykatave që hyri në fuqi më 1 janar 2013, kur u bë i plotfuqishëm Ligji për Gjykatat, ishte sfida e parë me të cilën u përball kjo gjykatë. Ibrahimi u ankua për mungesë hapësire, sidomos pasi Departamenti për Krime të Rënda u transferua në gjykatën që ai drejton, pasi Gjykata Supreme, ku ishte vendosur ky departament është duke u rinovuar.

Ibrahimi u ankua për mungesë gjyqtarësh, pasi tha se një gjyqtar i Gjykatës Themelore të Prishtinës përballet me shumë lëndë.

“Çdo gjyqtar që është i caktuar në lëndë civile apo penale në Departamentin e përgjithshëm ka mbi 1000 lëndë në punë”, tha Hamdiu

Këtë ngarkesë e kanë shkaktuar lëndët e vjetra. Nga vitet e kaluara numri i lëndëve të tilla që ende presin shqyrtimin ka mbërritur në 15 mijë. Ibrahimi tregoi se gjatë vitit të kaluar i ka urdhëruar gjyqtarët që lëndët e tilla t’i kenë prioritet.

“Jemi në situatë që kemi kaluar në këtë vit me vështirësitë e vitit të kaluar se do përballemi prapë me numrin jo të mjaftuar të gjyqtarëve në raport me numrin e lëndëve që kemi në punë”, vijoi shpjegimin Hamdiu  

Gjatë 2013-ës nga Gjykata Themelore e Prishtinës janë përfunduar 578 lëndë të krimeve të rënda, kurse të mbetura janë 2913 lëndë. Në lëmin civile janë përfunduar 2887 lëndë, kurse kanë mbetur 14.573 lëndë pa u zgjidhur.

Gjykata, bashkë me degët e saj në komunat e rajonit të Prishtinës hyri në vitin e kaluar me 315 mijë e 716 lëndë në punë. 151 mijë e 840 prej tyre janë zgjidhur, ndërsa 163 mijë e 876 ende nuk kanë përfunduar.

Raporti i Progresit 2013, i hartuar për Kosovën nga Komisioni Evropian kritikoi sistemin e drejtësisë kosovare për numrin e madh të lëndëve të pazgjidhura dhe për ndërhyrjet e politikës në gjyqësor.

Ibrahimi theksoi se gjetjet nga mediat gjykata i ka marrë në kuptimin pozitiv dhe se mediat do kenë qasje në këtë gjykatë siç kanë pasur gjatë tërë vitit.

“Dua t’ju siguroj se mbesim të përkushtuar që në punën tonë në të ardhmen për krejt atë që ligjin në fuqi e lejon, kjo gjykatë të jetë absolutisht e hapur për media dhe ju në çdo kohë do të kenë qasje në punën e gjykatës”, tha Ibrahimi. 

Përfundimisht, Ibrahimi siguroi se përderisa do jetë ai kreu I gjykatës, nuk do të ketë veprime korruptive brenda saj.

“Dua të besoj se gjithçka që ka ndodhur në të kaluarën, ku emri i kësaj gjykatë është lakuar për keq i takon së kaluarës”, tha Hamdiu

Një raport i organizatës FOL i vitit 2013, kritikoi gjykatat e vendit se po bëjnë shumë pak në luftën kundër korrupsionit. Edhe kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit Hasan Preteni, akuzoi në prillin e vitit 2013 gjyqtarët kosovarë për mosbashkëpunim në ndjekjen e lëndëve që agjencia dërgon te ta. Atëherë Preteni tha se më bashkëpunuese me AKK-në është prokuroria e EULEX-it.