Drejtori i Arsimit në Deçan Dënohet për Kërcënim Ndaj Gazetarit (TV)

Drejtori akuzohej nga Prokuroria Themelore në Pejë se më  9 qershor 2013 nëpërmes telefonit e kishte kanosur korrespodentin e gazetës Bota Sot Adem Lushajn për shkak të një shkrimi qe ky i fundit e kishte botuar në këtë të përditshme.

Ne Gjykatën Themelore të Pejës – dega në Deçan, të hënën u mbajt seanca e shqyrtimit gjyqësor, gjatë të cilit i akuzuari Qazim Maloku e pranoi fajësinë ( akuzën ). Në të njëjtën seancë u dha fjala përfundimtare e palëve dhe u bë shpallja e aktgjykimit.

Qazim Maloku tha para gjykatës se e pranonte fajësinë dhe i kërkoi falje Lushajt.

“Atë ditë kur kjo ka ndodhur kam qenë shumë i ngarkuar dhe nuk kam ditur se si jam shprehur. Edhe njëherë i kërkoj falje. Sepse unë jam për shprehjen e lirë dhe për një gazetari të mirëfilltë në Kosovë”, tha Maloku.

Prokuroria  Themelore ne Pejë e akuzoi Qazim Malokun për veprën penale të kanosjes, nga neni 185 paragraf 1 i Kodit Penal të Kosovës.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Qazim Maloku, duke mos qenë i kënaqur me një shkrim të cilin gazetari dhe në këtë rast i dëmtuari Adem Lushaj e kishte botuar në gazetën Bota sot, e kishte  thirrur të dëmtuarin, duke e kanosur përmes telefonit me fjalët “ shko demanto atë shkrim, a e din ti se kush jam unë “.

Shkrimi i Adem Lushajt i publikuar qershorin e kaluar ishte bazuar në një komunikatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në atë komunikatë LDK-ja kritikonte qeverisjen komunale deçanase, ndërsa përmendej edhe drejtori i Arsimit Qazim Maloku.

Lushaj i tha Gazetës Jeta në Kosovë se komunikata më tepër sulmonte kryetarin e Deçanit Rasim Selmanajn.

 “Kërcënimi më është bë për një shkrim të cilin e kam pasë  në gazetën Bota sot… Ka qenë i bazuar në një komunikatë të lëshuar nga LDK-ja. Në atë komunikatë është apostrofue edhe emri i drejtorit të Arsimit komunal”, shpjegon Lushaj.

Këtë seancë gjyqësore e udhëhoqi Sulltan Dobraj, gjyqtari nga Departamenti i Përgjithshëm i Gjykatës Themelore të Pejës – dega në Deçan. Ai dënoi drejtorin Maloku me 500 euro gjobë me kusht. Maloku nuk do ta paguajë këtë gjobë nëse në afatin prej një viti nuk do të kryejë vepër tjetër.

I dëmtuari Lushaj tregoi se nuk do të ankohet për vendimin, ndërsa shtoi se do të respektojë çdo vendim që e sjellë gjykata.

Qazim Maloku nuk deshi të komentojë zhvillimet në seancë, duke thënë që të gjitha i ka thënë atje.

Maloku është drejtor i arsimit në komunën e Deçanit prej vitit 2009, ndërsa është riemëruar nga kryetari Selmanaj të hënën.