Komuna e Qeveria Lusin për Kursim të Ujit (TV)

Kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, e ka lajmëruar takimin me zyrtarët e Ujësjellësit Rajonal Prishtina si takim urgjent, për të diskutuar furnizimin me ujë në kryeqytet.

Pas takimit me Gjelosh Vatajn, kryeshefin ekzekutiv të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Ahmeti tha para gazetarëve se komuna e Prishtinës nuk do sillej si pronare në zyrat e ujësjellësit.

“Unë i thashë drejtorit se ne nuk do të sillemi si pronarë, por do të sillemi si konsumator i keq”, tha Ahmeti.

Konsumator  i keq sipas kryetrarit të Prishtinës, është ai që ankohet për situatën dhe kërkon shërbime të mira prej ujësjellësit, ndërsa në të njëjtën kohë sipas Ahmetit e ndihmon ofruesin e shërbimeve për realizimin e planit të investimeve.

“Njëherë për njëherë nuk do të ketë reduktime shtesë”, premtoi Ahmeti, në prani të Vatajt.

Ai më tutje tha se komuna duhet të ndërmarrë hapa për parandalimin e keqpërdorimit të ujit.

“Ne kemi rregullator të cilët e caktojnë se cili është përdorimi i lejuar i ujit të ujësjellësit. Ne do të shkojmë drejt implementimit edhe më të rreptë të këtyre dispozitave, përkatësisht përdorimit të ujit vetëm për nevoja të cilat familjet më të vërtetë i përdorin, e jo për autolarje dhe shërbime të tjera”, tha Ahmeti.

Ai po ashtu tha se ujësjellësi i regjionit të Prishtinës, ka humbje me mbi 50 për qind dhe ka konsum ditor për person diku rreth 140 litra.

“Synimi jonë është që atë konsum ditor ta sjellim poshtë në 125 litra, përmes fushatave të vetëdijësimit dhe të implementimit më të rreptë të përdorimit të ujit dhe e dyta është që bashkë me kompaninë e ujësjellësit regjional, t’i bëjmë investimet e nevojshme që humbjet në rrjet t’i zvogëlojmë sa më shumë që është e mundshme”, tha kryetari i Prishtinës, i cili premtoi që do të shtojë presionin mbi Qeverinë e Kosovës që të punojë më shumë drejt investimeve në ujësjellësin regjional të Prishtinës.

Edhe drejtori i Ujësjellësit luti konsumatorët që ta ruajnë ujin.

“Jemi në një situatë ku, nëse nuk ka të reshura tre deri në katër muaj, nuk ka më shumë ujë”, tha Vataj. 

Gjelosh Vataj pasdite ishte ftuar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, ku tha se megjithatë, qytetarët e Prishtinës nuk rrezikohen me mungesë të ujit, por sipas tij viti 2015 do të jetë problematik.

“Për momentin, kemi rezerva të ujit deri në 4 muaj, nëse nuk bie edhe asnjë pikë shi ose borë dhe po ju garantoj që qytetarët e Prishtinës nuk rrezikohen për këtë vit, por rrezikohen për vitin 2015”, tha Vataj.

Sipas tij nuk ka gjasa që brenda këtyre katër muajve të mos ketë reshje të cilat do ta shtyjnë furnizimin me ujë deri në fund të vitit.

“Në këtë takim diskutuam edhe për kahjet për implementimin e projektit të ri të ndërtimit të fabrikës së ujit në fshatin Shakabaj”, tha Ramadan Sejdiu, udhëheqës i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike në kuadër të MZhE-së.

Sejdiu po ashtu parashikoi të reshura ditëve në vijim, por nuk harroi të lusë qytetarët që të kenë kujdes me ujin.

“Sipas të dhënave që ne kemi, pritet qysh në javën e ardhshme të kemi të reshura”, tha Sejdiu.

Ai shtoi se konsumatorët e ujësjellësit “Prishtina”, kanë borxh afër 90 milionë euro dhe se 29 mijë lëndë kundër mospaguesve, ekzistojnë në sistemin gjyqësor për t’u shqyrtuar.

Metereologu Besim Aliu nga Instituti Hidrometereologjik, i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë, gjatë javës së kalaur se më 19 dhe 20 janar në Kosovë do të ketë reshje të shiut dhe borës.

http://gazetajnk.com/?cid=1,1018,7309

Ai nuk deshi të flasë për atë se çfarë intensiteti do të kenë këto reshje dhe sa do të zgjasin ato, me arsyetimin se instituti ka parashikime të sakta të motit për periudhën prej 3 deri 5 ditësh, ndërsa pas kësaj periudhe, saktësia e parashikimit bie.